Nuk paguajnë tatime, shpërblehen me bonuse për performancë

Gjatë vitit që lamë pas Bordi i Kompanisë së Menaxhimit të Deponive të Kosovës (KMDK) është shpërblyer me bonuse për performancë pozitive, por në anën tjetër kompania në fjalë nuk ka paguar tatimet e parapara ligjore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës. Sipas Auditorit, pagesa e bonuseve po ashtu është bërë në kundërshtim me vendimet në fuqi, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Plot shkelje ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për ndërmarrjen publike Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).

Sipas vendimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), numër 01/2599, të datës 18.12.2017, pika 1, ka paraparë “Pezullimin e vendimeve për kompensimin për stimulimin e efektshmërisë së anëtarëve të bordeve të drejtorëve të ndërmarrjeve publike qendrore”, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Pavarësisht kësaj, më datën 11.06.2018, Bordi i Drejtorëve i Kompanisë ka marrë vendim që t’ua paguajë kompensimin për stimulimin e performancës vjetore drejtorëve të Bordit të KMDK-se në lartësi prej 50% të shumës së përgjithshme vjetore të honorarit themelor të përcaktuar me vendimin e aksionarit. Shuma e paguar për këtë qëllim ishte gjithsej 12,300 euro.