Nuk po i mjafton Kosova: Kurti po do më shumë pushtet, pasi dështoi në Shqipëri, ia vë syrin Maqedonisë së Veriut

Fitoi në Kosovë, dështoi keq në Shqipëri, tash po tenton në Maqedoninë e Veriut. Kurti si duket ka vendosur ta testojë fuqinë politike edhe në shtetet fqinje të vendit, shkruan Periskopi.

Derisa rezultati mbi 50% në zgjedhjet e fundit në Kosovë ia la ëmbël, kryeministri i Kosovës kishte ndërhyrë edhe në zgjedhjet e përgjithëshme në Shqipëri në vitin 2021. Vetëvendosje atje pati garuar me tre kandidatë, Bojken Abazin, Kreshnik Merxhani dhe Iliaz Shehu.

Megjithatë partia e cila udhëheqë Kosovën dështoi me rezultate në Shqipëri.

Në zgjedhjet e 25 Prillit, partia e Albin Kurtit mori vetëm 3541 vota, nga mbi 1.66 milionë vota të hedhur gjithsej në mbarë vendin.

Politikanë në Kosovë akuzuan Kurtin se kishte braktisur vendin në mesin e pandemisë për të bërë fushatë në Shqipëri.

Por, Kurti nuk e la me kaq.Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është përfshirë edhe zyrtarisht në garën për pushtet në Maqedoninë e Veriut duke iu bashkuar koalicionit të opozitës shqiptare atje.

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti shkroi në Facebook se në hapjen e zyrës së përbashkët të këtij koalicioni mori pjesë edhe Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit.

“Lëvizja VETËVENDOSJE i bashkëngjitet Lidhjes Europiane për Ndryshim. Sot me datë 24.12.2023, në zemër të Shkupit, gjegjësisht në Sheshin “Skenderbeu”, Lidhja Evropiane për Ndryshim bëri hapjen e zyres së përbashkët të koalicionit. Në hapjen e shtabit morën pjesë kryetarët e tre partive Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike ku për herë të parë edhe zyrtarisht paraqitet edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, me përfaqësuesin e saj, z. Bekim Qoku si pjesë e frontit opozitar, ku para të pranishmëve mbajtën edhe fjalë rasti”, shkroi Mexhiti.

Në këtë ngjarje, ai ka thënë se me inkuadrimin e partisë së Kurtit, ata do ta bëjnë “ndryshimin e shumëpritur” edhe në Maqedoninë e Veriut.

“Më gëzon fakti që në këtë ditë të bukur, frontit tonë opozitar iu bashkangjit edhe Lëvizja VETËVENDOSJE, dhe pas ndryshimit në Kosovë dhe Luginë, bashkarisht do e sjellim ndryshimin e shumëpritur edhe tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, tha Mexhiti.

Në lidhje me tentimin për të përçarë shqiptarët në Maqedoni të Veriut, Kurti ishte kritikuar nga politikanët atje.

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi nga radhët e BDI-së ishte pyetur nga gazetarët në Gostivar, kishte folur për vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtin në Çair dhe Tetovë në muajin gusht.

Grubi kishte thënë se disa persona e kanë keqpërdorur vizitën e Kurtit në Maqedoni, derisa ka shtuar se pa partinë që drejton Ali Ahmeti, s’mund të emërohej as rruga “Adem Demaçi” e s’mund të bëhet as rruga Tetovë-Prizren.