Nuk u ftua në takim nga Thaçi, reagon Mimoza Kusari-Lila

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, reagoi pasi nuk mori ftesë nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në takimet që kreu i shtetit pati me krerët e partive pas vizitave të tij në SHBA.

Kusari-Lila tha se sot e kuptoi që presidenti i vendit nuk e konsideron të denjë zyrtarisht një grua kryetare të partisë Alternative dhe ish – zv.kryeministre.

“Nëse presidenti i vendit e konsideron veten dhe rolin e tij si faktor unifikues për vendin, atëherë sot si shumë here tjera ai dhe kabineti i tij e treguan se çdo gjë mund të jenë, vetëm unifikues jo. Nuk e di se çfarë mund të ishte aludimi i tyre për këtë mosftesë, por duke e ditur se gjithmonë sigurohen të jenë të ‘mbuluar me letra’, i këshilloj të verifikojnë në KQZ kënd e përfaqësoj unë”, shkroi Kusari-Lila.

Ajo tha se ashtu sikur edhe shumë raste të tjera në Kosovë, kjo situatë e tregon hipokrizinë e retor ikës për gjithëpërfshirje të grave në jetën politike nga presidenti i vendit.

“Alternativa është parti e re, ende e vogël, por ndikimin në raste të caktuara mund ta ketë tepër të madh për ndryshimet në Kosovë”, vijoi Kusari-Lila.

Deputetja e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se ky reagim ka për qëllim të tregojë gabimin e kabinetit dhe të presidentit për trajtimin e gruas në politikën kosovare.