Nxisnin të miturit për të vjedhur biçikleta, ndërsa vetë i shisnin/ Dy fierakët e pësojnë keq

Policia e Fierit ka arrestuar ditën e sotme dy shtetas pasi merreshin me vjedhjen e biçikletave në këtë qytet. Në njoftimin e policisë thuhet se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale M. Z., 42 vjeç dhe R. Xh., 18 vjeç pasi nxisnin dy të mitur për të vjedhur biçikleta dhe për t’i shitur më pas.

Bicikletat e vjedhura janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale në dyqanin/servisin e shtetasve M. Z dhe N. P., në Fier.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, pas një pune intensive dhe të mirëorganizuar për evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të biçikletave dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, si dhe në bazë të provave të grumbulluara, bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve M. Z., 42 vjeç dheR. Xh., 18 vjeç, të dy banues në Fier. Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit P. Sh., 68 vjeç, dhe N. P., 89 vjeç, të dy banues në Fier.

Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit e mitur Xh. Xh., 13 vjeç dhe E. Xh., 11 vjeç, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer disa vjedhje të biçikletave në qytetin e Fierit, të shtyrë nga shtetasi R. Xh., dhe i kanë shitur tek shtetasi P. Sh. Bicikletat e vjedhura janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale në dyqanin/servisin e shtetasve M. Z dhe N. P., në Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjyjatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vjedhja”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale” dhe “Shtytja e të miturve në krim”./joq