O shkarkojeni Martin Berishajn, o veten, Vet-vendosni

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka thënë se Qeveria ose duhet ta shkarkojë ambasadorin e Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj ose ta shkarkojë veten.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxha ka akuzuar qeverinë për mosveprim.

“Qele guri gojën. O shkarkojeni Berishaj-n, o veten. Vet-Vendosni”, ka thënë Hoxha.

Televizioni slloven, Planet TV ka raportuar për një implikim të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në një skandal financiar. Sipas televizionit, Berishaj kishte pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” një shumë prej 600 mijë eurosh nga dega në Beograd e kompanisë “GEN”, e të cilat pretendohet se i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë kandidatit për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob.

Këto pretendime i ka mohuar Berishaj, duke paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi. Presidenca i ka kërkuar raport dhe e ka ftuar për sqarime në Kosovë ambasadorin, pasi paraprakisht presidentja Vjosa Osmani ka thënë se i beson versionit që Berishaj e ka dhënë në Facebook.

Opozita në Kosovë ka kërkuar dorëheqjen e tij.