Oda e Mjekëve mban Kuvendin, mbi 36 mijë euro u shpenzuan për edukim të vazhdueshëm

Oda e Mjekëve të Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e 6 të Kuvendit të legjislaturës së dytë ku është prezantuar raporti vjetor.

Prezantimin e ka bërë kryetari i Odës Dr. Pleurat Sejdiu, i cili e ka vlerësuar këtë vit të suksesshëm për institucionin të cilin e udhëheq. Sejdiu ka folur për bartjen e kompetencave për edukim specialistik, për çka ka deklaruar se ka pasur manipulime që kanë penguar këtë proces, shkruan Gazeta Shneta.

“Kemi pranuar një dokument të udhëzimit administrativ nga Ministria e Shëndetësisë ku Oda ishte përcaktuar vetëm për sigurimin e sallës për provimin specialistik. Kjo është e turpshme dhe këtë ia kemi shprehur ministrit në largim dhe do të reagojmë për këtë”, ka deklaruar Sejdiu.

Sejdiu ka prezantuar totalin e buxhetit të cilin e posedon OMK prej 322 mijë e 412 euro. Në kuadër të prezantimit të buxhetit janë prezantuar edhe shpenzimet në fusha të ndryshme. Për edukim të vazhdueshëm janë shpenzuar mbi 36 mijë euro, për paga dhe mëditje janë shpenzuar mbi 28 mijë euro, ndërsa nga fondi për solidaritet janë përkrahur disa persona me mbi 6 mijë euro.