OEK dhe OAK: Vonesa e krijimit të institucioneve ndikon negativisht në të bërit biznes

Viti 2019 po mbyllet pa arritjen e krijimit të rrethanave të qëndrueshme ekonomike ku periudha e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe tani situata aktuale politike në vend pa formim të institucioneve kanë ndikuar negativisht në të bërit biznes.

Kështu vlerësojnë Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane e Kosovës, sipas së cilave, vonesa e krijimit të institucioneve mund të sjellë edhe migrim në Kosovë.

Drejtuesit e Odave Ekonomike në Kosovë kanë bërë thirrje për krijim sa më të shpejtë të institucioneve, që siç janë shprehur ata, në fillim të vitit të ardhshëm të jetë një qeveri funksionale me të cilën mund të bisedojnë për ekonominë.

Drejtori i Odës Ekonomikë të Kosovës, Berat Rukiqi, në një konferencë për media, tha se periudha e moskrijimit të institucioneve është një arsye shtesë që ka ndikuar negativisht në konfidencën e të bërit biznes nisur nga kompanitë vendore, e pastaj është përçuar edhe sinjal negative në investitorët e huaj.

Sipas tij, ajo që po ashtu ka ndikuar është edhe periudha paraprake e ngarkuar me temën e dialogut e me tema të tjera që sipas tij kanë më shumë një ngjyrim të politikave ditore e të garës së ngushtë mes partive politike.

Këto, tha Rukiqi, e kanë penguar edhe reformën në politika fiskale dhe në politika ekonomike dhe ka rezultuar me ngecje të shumë investimeve.

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane, tha se gjatë vitit 2019 nuk ka pasë të arritur të madhe në tërheqjen e investimeve të huaja.

Në këtë konferencë, si pengesë u theksua edhe mungesa e sigurisë juridike dhe paparashikueshmëria, ku sipas Rukiqit, askush nuk është i gatshëm të hyjë në një ambient të paparashikueshëm ku një qeveri ose parlament mund të sjellë vendime të pa menduara që mund të kenë pastaj pasoja në tërë ekonominë e vendit.

Ndërsa për ligjin e pagave, ai tha se është i duhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë theksoi se në vitin 2020, ky ligj do të duhej të merrte parasysh kontekstin ekonomik nëpër të cilin janë duke kaluar./KosovaPress