Vjosa Osmani: Qeveria Hoti është qeveri e pakicës, kjo është e vërteta

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani është deklaruar për media pas vizitës tre ditorë në Shqipëri.

Ajo ka folur edhe për takimin me dyer të mbyllura me kryeministrin shqiptar, duke mos dhënë më shumë detaje se çfarë i ka thënë Rama, përfshirë këtu edhe diskutimin për mini-Shengenin.

“Kryeministria ka kërkuar vet që ai takim të jetë i mbyllur dhe nuk ka qenë kërkesë e jona. Prandaj edhe unë nuk do të ishte në rregull të tregoja këtu se çfarë ka thënë z.Rama, të tregoj vet se çfarë qëndrimi ka dhe mbi çfarë argumentesh qëndrojnë për atë iniciativë. Ajo iniciativë është bërë vetëm nga tri shtete dhe nuk ka qenë e përfshirë Kosova”, ka thënë ajo.

Duke folur mbi këtë iniciativë, Osmani tha se është mbështetur vetëm nga pakica në Kosovë, duke aluduar kështu edhe në Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

“Ky qëndrim nuk është edhe i imi por edhe shumë politikanë në Kosovë kanë shprehur këtë qëndrim. Janë të pakët janë pakicë ata që kanë ndryshuar. Qeveria e Kosovës është pakicë dhe kjo është e vërteta”, ka deklaruar ajo.