Operoi 300 fëmijë në Kosovë, doktori australian ankohet për mungesë të mjeteve elementare

Profesori australian i Kirurgjisë Specialistike Pady Dewan, i cili deri më tash ka kryer 300 ndërhyje të komplikuara tek fëmijët në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare, ka treguar për problemet e shumta që pati gjatë kryerjes së ndërhyrjeve.

Ai ka lavdëruar stafin e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, por një gjë të tillë nuk e bëri edhe për Ministrinë e Shëndetësisë. Madje, ai u ankua për mungesës të mjeteve gjatë ndërhyrjeve.

“Ata kanë një staf kirurgjik shumë të dedikuar dhe ky është fillim i mbarë. Sa i përket stafit të infermierëve, ka mungesë të tij në numër, përderisa cilësia e këtij stafi është e një prej niveleve më të mira në botë. Dedikimi i kirurgëve për t’u siguruar që të punojnë sa më shumë që është e mundur është i pakrahasueshëm, por janë disa çështje lidhur me disa nga mjetet e punës që janë në dispozicion”, ka thënë ai në emisionin ‘Doktor Plus’.

Dewan tregoi që gjatë ndërhyrjeve pati shumë mungesa, madje edhe në gjërat elementare për ndërhyrje të tilla duke nisur nga dorëzat adekuate.

“Ne përdorim këtu dorëza që kanë pudër mbi to e cila e vë pacientin në një rrezik të vogël dhe duke mos qenë në mesin e praktikave më të mira në botë, mund të ndryshohet me fare pak para. Pastaj disa nga kateterat, kateterat nga lateksi dhe kjo është nën standardin e pranueshëm. Ne nuk përdorim kateter lateksi për fëmijët në Australi dhe aty ka disa gjëra tjera, ku ka nevojë vetëm për pak reflektim për shembull tek materialet e përshtatshme. Disa nga materialet e përshtatshme janë më të kushtueshme, por kjo ju bjen në një situatë kur ju kurseheni nga problemet që mund të keni nga përdorimi i materialeve të tilla më të lira”.

Madje është një pajisje të cilën ai sa herë që vie në Kosovë, për ndërhyrjet kirurgjike që përgatiten për të, duhet ta marrë më vete e që sërish as kjo pajisje nuk është edhe aq e kushtueshme.

“Dhe është një pajisje e vogël që vihet në fund të bisturisë, prerësit elektrik me prerjen me elektricitet që ne e bëjmë gjatë intervenimit kirurgjik dhe unë gjithmonë i sjell me vete, sepse ata janë me teh më të gjatë e që mundësojnë finesë gjatë intervenimit kirurgjik, por kirurgët këtu nuk i kanë ato në dispozicion, përveç atyre që i kanë përpara, kështu që sërish me fare pak investim, por pak investim i cili do të mundësonte ndryshime mjaftë domethënëse në plotësimin e aftësive të tyre për të bërë punë kualitative”.