Opozita letër Kolegjit: Pezulloni mandatet për këshilltarët

Opozita e bashkuar i ka dërguar një letër Kolegjit Zgjedhor ku i kërkon pezullimin e mandateve për Këshillat Bashkiakë derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë.

Letra e opozitës është shkruar nga numri 2 i PD Gazmend Bardhi, para nisjes së shqyrtimit në kolegj të çështjeve për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë. Sipas opozitës, për këtë letër është informuar ODIHR, ONM, BE, si dhe ambasadat kryesore në Tiranë.

“Shoqata e Bashkive ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për kushtetueshmërinë e votimeve të 30 Qershorit. Pa u shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave monopartiake Bashkiake.

Sipas Kodit të Procedurës Civile, Kolegji Zgjedhor ka detyrimin ligjor të vendosë pezullimin e gjykimit, për shkak se “çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër’, tha opozita, shkruan balkanweb.

Po ashtu, opozita thotë se ligji detyron Kolegjin të mos marrë vendim pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetueshmërinë e Dekreteve të Presidentit.

“Standardet e shqyrtimit gjyqësor te mosmarrëveshjeve në rrezik nga presioni i vetingut mbi disa anëtarë të Kolegjit Zgjedhor. Vendimet e deritanishme të Kolegjit Zgjedhor, të pambështetura në ligj dhe të motivuara politikisht, sipas interesit të Qeverisë. Regjistrimi i paligjshëm i Bindjes dhe mohimi i opozitës për komisionerët, u konstatuan të paligjshme nga ODIHR.

Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Presidenti, përfshirë dekretin e zgjedhjeve”, thuhet në letër.

Opozita shprehet se sa kohë janë në fuqi dekretet për zgjedhje në 13 Tettor mandatet e këshilltarëve bashkiakë nuk mund të shpërndahen.

“Janë fituar në votime të padekretuara nga Presidenti. Ky është një rast që Kolegji të mos lejojë zëvendësimin e pluralizmit me partinë shtet dhe demokracia me diktaturën.

Opozita ka edhe një apel për Kolegjin. “Koha t’i shërbeni interesit publik përpara interesit tuaj privat, i cili po përdoret nga Rama për të krijuar drejtësinë e tij private, duke i shkaktuar Shqipërisë një dëm afatgjate”, saktësohet në letër.