Opozita s’do të votojë asnjë ligj/ Mustafa i Listës “Guxo”: S’do të kemi probleme

Dy partitë opozitare PDK-ja dhe AAK-ja kanë rikonfirmuar edhe njëherë se nuk do të votojnë asnjë ligj dhe asnjë marrëveshje ndërkombëtare që do të sillet në Kuvend për t’u votuar.

E, për këtë deputeti Ekrem Mustafa deklaron se kjo ka ndodhë edhe në sesionin pranveror.

Mirëpo, thotë se me kthimin e dy deputeteve të LVV-së, nga pushimi i lehonisë, nuk do të kenë probleme kur bëhet fjalë për mbarëvajtje të seancave.

“Ju jeni dëshmitarë të sesionit të kaluar pranveror që kemi pas shumë herë mungesë kuorumi, nuk ka qenë krejt për fajin tonë, mirëpo shumë herë ka qenë edhe me fajin e opozitës. Kemi pas shumë marrëveshje ndërkombëtare që janë shumë të rëndësishme për jetën dhe mirëqenien e qytetarit të cilat i kanë bojkotu opozita, mirëpo edhe neve kemi pas disa mungesa ku kemi pas dy deputetet nga radhët e grupit parlamentar të LVV-së që kanë qenë në pushim të lehonisë, tash në sesionin vjeshtor ato dy deputete iu kanë bashkëngjit grupi tonë parlamentar dhe nuk besoj se do të kemi më probleme sa i përket mbarëvajtjes së seancave”, ka deklaruar Mustafa, për Front Online.