Organizoi disa herë muzikë live në lokal, arrestohet 45-vjeçari

Policia e Krujës ka arrestuar një 45-vjeçar për thyerjen e masave anti-COVID.

Policia thotë se është vënë në pranga shtetasi me inicialet K. L, pasi ka organizuar në mënyrë të përsëritur muzikë live në lokalin e tij pas orarit të përcaktuar për mbylljen e këtij aktiviteti.

Ai është gjobitur 2 herë më parë për këto lloje organizimesh në kundërshtim me masat anti-COVID atë vendosura për ndalimin e përhapjes së koronavirusit në vend.

“Strukturat e Policisë Krujë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Gjatë kontrolleve kanë konstatuar në Fushë Krujë, subjektin në pronësi të shtetasit K.(B).L., i cili kishte organizuar muzikë live në mënyrë të përsëritur, pas orarit të caktuar për mbyllje, në kundërshtim me Aktin Normativ”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia gjithashtu njofton se K. L., banues në Milot është dënuar më parë për “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.