Orteku godet makinën e doktorit dhe infermierit shqiptar, përfundon disa metra poshtë rrugës

Doktori Ardjan Kellici dhe infermieri Zek Tataj, të qendrës shëndetësore në Tamarë të Kelmendit, në Malësinë e Madhe, kanë rrezikuar jetën gjatë ditës se sotme.

Ata po udhëtonin drejt Vermoshit, kur në vendin e quajtur “Gropa e Selcës” janë goditur nga një ortek. Për pasoje, fuoristrada me të cilën ata udhëtonin ka përfunduar disa metër poshtë rrugës dhe mjeku, infermieri e drejtuesi i automjetit Pëllumb Mitaj, kanë disa plagë por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Pasi janë njoftuar, kanë ndërhyrë banorët e zonës duke i nxjerrë nga fuoristrada e rrëzuar dhe i kanë dërguar për në spitalin e Shkodrës.

Moti i keq ka përfshirë të gjithë zonën e Kelmendit, me reshje dëborë dhe erë të fortë dhe për pasojë zonat e Vermoshit dhe Lepushës kanë probleme me lëvizjen e automjeteve dhe furnizimin me energji elektrike.