Osmani dhe Kurti bojkotojnë Epopenë e Dukagjinit, kryeministri s’e mori mundin ta thotë asnjë fjalë

Sot është shënuar 24-vjetori i betejës së Gllogjanit, e njohur ndryshe si “Epopeja e Dukagjinit” që u zhvillua më 24 mars 1998, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt i bëri ballë rrethimit të forcave pushtuese serbe në Gllogjan.

Në shënimin e 24 vjetorit të kësaj epopeje nuk kanë marrë pjesë asnjë nga krerët e institucioneve të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani e as kryeministri Albin Kurti ndonëse ishin në Prishtinë, nuk morën pjesë në këtë përvjetor.

Përderisa Osmani e ka kujtuar Epopenë e Dukagjinit, kryeministri Kurti as edhe një postim nuk e bëri, shkruan Demokracia.com.

“Luftëtarët e lirisë bashkë me ata të Aleancës Veri-Atlantike, i dhanë udhë lirisë sonë, e bën të mundshme realizimin e amanetit të brezave, prandaj kujtimi për të gjithë dëshmorët e UÇK-së do të jetë i përjetshëm. Liria jona mbanë fuqishëm vulën e secilit dëshmor. Ata janë kujtimi i rrugës së zorshme nëpër të cilën kemi kaluar, ata janë referencë për brezat dhe nderim për shtetin”, tha presidentja Osmani.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në 24 vjetorin e kësaj beteje ka thënë se çdo ditë e jetës së shqiptarëve është e mbushur me kujtime për heroizmin, sakrificën kulmore në shërbim të Atdheut dhe kombit.

“Sot, me 24 mars, nderojmë Gazmendin, Himën e Agronin, dhe të gjithë ata që përjetësisht mbesin frymëzimi më i madh i dashurisë për kombin. Po ashtu, kujtojmë 24 marsin kur nisi t’i ipej fund regjimit të egër të gjenocidit dhe spastrimit etnik. Të rënëve dhe secilit që dha nga jeta e tij për Atdheun dhe lirinë, faleminderit. Aleatëve tanë, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, faleminderit. Faleminderit përjetësisht!”, ka shkruar Haradinaj.

Në shënim të “Epopesë së Dukagjinit” kanë marrë pjesë familja e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi, përfaqësues të partive politike, drejtues të organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për të shënuar 24 vjetorin e kësaj epopeje në Gllogjan sot ka qenë edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku me bashkëpunëtorë.

“24 vjetori i fillimit të luftës së UÇK-së në Dukagjin dhe 23 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, sot u shënua ndryshe për shkak të padrejtësive
që po iu bëhen atyre që ishin ndër kryesorët e luftës sonë çlirimtare, por edhe bashkëpunimit me forcat progresive të botës. Lavdi të rënëve për liri!”, ka shkruar Klinaku.

Për të shënuar 24 vjetorin e kësaj epopeje në Gllogjan sot ka qenë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Në 24 vjetorin e Epopesë së lavdishme të Dukagjinit, me bashkëpunëtorë dhe kolegë të Partisë Demokratike të Kosovës, bëmë homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan, për të nderuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ranë dëshmorë në përballje me forcat serbe. Ditë të tilla si 24 marsi i vitit 1998, janë ndër datat më krenare dhe sublime të historisë së Kosovës. Përherë mirënjohës për veprën heroike të këtyre trimave, të cilët dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë.”, ka shkruar ai.

Ndryshe kjo betejë shënon fillimin e luftës frontale ndërmjet forcave të UÇK-së dhe atyre serbe në Zonën Operative të Dukagjinit.

Para agimit të 24 marsit të vitit 1998, fshati Gllogjan i komunës së Deçanit ku jetojnë familja Haradinaj sulmohet nga forcat policore serbe. Qindra forca te armatosura serbe fshehurazi filluan te marshonin përmes fshatrave drejt Gllogjanit. Serbët formuan unaza rrethimi rreth Gllogjanit.

Cak i sulmit ishte familja Haradinaj e cila gjendej në shtëpi. Sulmi filloi disa orë më vonë, derisa forcat policore kishin vëzhguar lëvizjet në familjen Haradinaj. Sulmi nisi mbi Daut Haradinajn, i cili derisa po kthehej për në shtëpi, një makinë policie doli nga fshati dhe tentoi ta kapte, mirëpo reagimi i Dautit nisi me rezistencë ushtarake. Dy policë dolën nga makina dhe hapen zjarr në drejtim të tij.

Forcat e tjera serbe sulmuan me shpejtësi tani me makineri ushtarake. Pas pak kohe, një forcë speciale serbe arriti të hyjë brenda në oborr të shtëpisë së Haradinajve. Pas kundërsulmit edhe me granata dore kjo forcë speciale u tërhoq.

Kështu, beteja filloi të bëhet edhe më e ashpër kur helikopterët serbë ishin angazhuar që të vëzhgonin nga qielli por nuk sulmuan. Luftëtarët e UÇK-së tanimë kishin zënë pozicionet e tyre dhe filluan të sulmonin forcat serbe nga shumë anë. Më pastaj, forcat serbe sulmuan edhe nga helikopteri i cili qëlloi dy breshëri me eksploziva qe shpërthyen në dhe’.

Forcat serbe, të befasuara nga rezistenca e fuqishme e UÇK – së, kishin zënë rob disa fshatarë të Gllogjanit, por edhe nxënësit e shkollës fillore “Hasan Prishtina” duke përdorur kështu “murin e gjallë” për lëvizje.

Kështu, forcat policore dhe ushtarake serbe u tërhoqën nga Gllogjani me humbje të madhe si me të vrarë ashtu edhe më dëme në tekniken ushtarake. Gllogjani dhe familja Haradinaj u bë bazë e rëndësishme e UÇK-së.

Për të shënuar këtë përvjetor, sot në Kompleksin e Dëshmorëve në Gllogjan bëhen homazhe si dhe mbahet manifestimi qendror që shënon këtë ditë.