Osmani e braktisi Kurtin në “betejën” me Serbinë për zgjedhjet e 3 prillit

Menjëherë pas mosarritjes së marrëveshjes për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës dhe suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, krerët e shtetit serb shpërthyen më deklarata kërcënuese ndaj krerëve të institucioneve të Kosovës.

“Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më”, kishte thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq bashkë me kryeministren serbe Ana Bërnabiq. Edhe më i ashpër ishte treguar ministri i mbrojtjes serbe, Aleksander Vulin, i cili e kishte kërcënuar haptas Kosovën me luftë, duke thënë se “ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë”, shkruan Insajderi.

Më të gjitha këto kërcënime, kryeministri Kurti duket se po ballafaqohet pa mbështetje nga ana e presidentes Osmani, e cila zakonisht nuk përfshihet asnjëherë në “tema të nxehta” kur ka nevojë të tregojë lidership.

Në lidhje me këtë, njohësi i çështjeve politike Albinot Maloku, i ka thënë Insajderit se “Presidentja Osmani po mundohet që të tregohet më ndryshe se Kurti, sepse në rast të përkeqësimit të marrëdhënieve me ndërkombëtarët, ajo të dalë më e pranueshmja”.

“Presidentja ka një deficit të lidershipit, mirëpo edhe ka treguar një qëndrim besnik ndaj kryeministrit. Mjaft çështje është duke ia lënë si barrë kryeministrit, ndoshta me shpresën për t’u treguar si më e ndryshme nga ai. Në rast të përkeqësimit të raporteve me ndërkombëtarët që ajo të dalë më e pranueshmja”, ka thënë Maloku.

Por, në lidhje me këtë çështje, një qëndrim më ndryshe e ka analisti Blerim Burjani.

Sipas tij, “Presidentja ka mandat tjetër kushtetues. Ajo ndonjëherë ushtron të drejtën të flas për relacione ndërkombëtare, pra në politikën e jashtme të shtetit. Ka situata si kjo e fundit që nuk do të flas dhe barrën e plotë ia adreson kryeministrit. Kjo varet nga vetë presidentja”, ka thënë Burjani për Insajderin.

Ndërkaq, asistenti në Departamentin e Shkencave Politike, Dorajet Imeri, ndër të tjera, ka thënë se Osmani është e para e vendit dhe natyrshëm që është dashur të praqes një qëndrim.

Pas moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë kishin reaguar ashpër edhe ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, duke shprehur pakënaqësinë e tyre, duke e fajësuar Qeverinë e Kosovës.