Osmani e Konjufca e presin sot Ramën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të vijë sot pasdite në Kosovë, me rastin e nisjes së turit të tij ballkanik në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit.

Në Prishtinë ai pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.

E pas kushtëzimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që takimi mes tyre të ndodhë vetëm në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, duket se Rama nuk ka ndryshuar pozicion dhe se takimi nuk do të mbahet.

Paraprakisht, Rama këtë paradite do të jetë në Shkup ku do të takojë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me të cilin pritet të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp në mesditë.

Pas Kosovës, kryeministri i Shqipërisë do të udhëtojë drejt Bosnjës, pastaj në Mal të Zi, duke e mbyllur turin e tij në Serbi.