Osmani i ka gati komentet kur drafti i BE’së për Asociacionin dërgohet në Kushtetuese: Prioritet të jetë interesi i Republikës

Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë nëse “propozimi evropian” për draft-statutin e Asociacionit është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pres një qasje konstruktive të të gjithë akterëve në këtë proces. Interesi nacional të vendoset para betejave politike. Flet për gazetën online Reporteri.net, Presidentja Vjosa Osmani.

Osmani thotë se Serbia e ka bërë të qartë “në një sërë rastesh, përfshirë në samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor, që nuk do t’i zbatojë obligimet e dala nga marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE’së”. Përkundër kësaj, shton se Kosova ende përballet me masa të padrejta e joproporcionale nga BE’ja. Porosit kryeqendrën e evropiane se “një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve është goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut”.

Në këtë intervistë, Komandantja supreme e Ushtrisë së Kosovës, siguron qytetarët e Kosovës se në bashkëpunim me aleatët, Kosova është e gatshme të frenojë çdo agresion potencial nga Serbia, ashtu siç ndodhi edhe me 24 shtator.

Osmani, në nisje të 2024-tës shprehet optimiste rreth zhvillimeve në vend dhe proceseve që e presin Kosovën. Në fakt ky vit ka nisur me një sërë lajmesh të mira për Kosovën, nga heqja e regjimit të vizave për në Evropë e deri te konfirmimi nga Departamenti i Shtetit të kërkesës së Kosovës për blerje të sistemeve të armëve mbrojtëse, thotë Presidentja Vjosa Osmani për gazetën online Reporteri.net.

Lexojeni të plotë intervistën me Presidenten Vjosa Osmani:

Reporteri.net: Zonja Presidente, faleminderit që pranuat ftesën për këtë intervistë me gazetën online Reporteri. Gjatë gjithë vitit që sapo e kemi lënë pas, sikurse pothuajse nga kur jeni në Presidencë, intervistat e juaja në mediat vendore nuk është se kanë qenë të shpeshta. Përderisa në ato ndërkombëtare keni qenë shumë më e pranishme, dhe në të gjitha theksin e keni vënë tek rreziku që i kanoset Kosovës nga Serbia dhe synimet e Beogradit për agresion ndaj vendit tonë. Në shtator të 2023’ës u dëshmua se ky rrezik ekziston ende, edhe 24 vjet pas luftës së fundit në vend. A mund të përsëritet sërish diçka e ngjashme me “rastin e Banjskës” dhe çfarë po bëjnë institucionet e Kosovës dhe ju si Presidente e vendit për ta parandaluar përsëritjen e një terrori të ngjashëm?

Presidentja Osmani: Pas aktit të agresionit dhe terrorizmit të 24 shtatorit të sponsorizuar nga Serbia, fokusi duhet të jetë vënia e të gjithë autorëve para drejtësisë në Kosovë, marrja e garancive të forta të sigurisë, frenimi dhe masa ndaj Serbisë për veprimet e saj. Serbia ka kohë që po përgatitet për aneksimin e veriut të Kosovës, ndaj përfshirja e Kosovës, fillimisht në Partneritetin për Paqe, e më pas edhe në NATO është një preventivë dhe parakusht për paqe e stabilitet në të gjithë rajonin. Nëse nuk ndërmerren veprime nga institucionet euroatlantike dhe aleatët, Serbia do të trimërohet nga mosndëshkimi për të vazhduar me agresionin e saj kundër Kosovës dhe destabilizimin e rajonit. Përkundër këtij rreziku, i siguroj qytetarët e Kosovës që institucionet tona, në bashkëpunim me aleatët, janë të gatshme të frenojnë çdo agresion potencial nga Serbia, ashtu siç ndodhi edhe me 24 shtator.

Themelimi i Asociacionit mbetet kryetemë. BE ka propozuar një draft të tij që e quan si “propozim modern evropian”, për të cilin Qeveria e Kosovës nuk tregon ende prerazi nëse e ka pranuar dhe vazhdimisht krijon konfuzion rreth tij. Natyrisht, ju keni marrë një kopje të këtij drafti dhe me siguri e keni analizuar mirë, ndaj si shefe e shtetit a mund të na bëni të qartë: A duhet ta pranojnë Kosova këtë draft dhe a duhet mbi të të krijojë Asociacionin?

Presidentja Osmani: Kushtetuesja duhet ta thotë nëse ky draft-statut është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky institucion duhet t`i trajtojë çështjet me dykuptimësi, të cilat mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës. E kam analizuar draftin dhe sapo i njëjti të ndodhet në Kushtetuese, unë do t`i dërgoj komentet e mija, të cilat do të jenë në funksion të sqarimit të disa çështjeve, të cilat mund të krijojnë probleme serioze në rast se nuk sqarohen, gjithnjë duke pasur parasysh kushtetutën e vendit dhe vendimin e gjykatës kushtetuese të vitit 2015.
Pres një qasje konstruktive të të gjithë akterëve në këtë proces, në mënyrë që përpara betejave politike ta vendosim interesin shtetëror, interesin nacional, interesin e Republikës së Kosovës si shtet funksional e në kufijtë e saj aktual.

Më duhet poashtu ta potencoj se që nga shkurti i vitit të kaluar kur është arritur marrëveshja e Brukselit, Serbia e ka bërë të qartë në një sërë rastesh, përfshirë ne samitin e fundit BE-Ballkan Perëndimor, që nuk do t’i zbatojë obligimet e dala nga kjo marrëveshje. Prandaj tani fokusi duhet të jetë tek gjetja e modalitetit për zbatimin e plotë të marrëveshjes, sepse ajo nuk mund të zbatohet vetëm në pjesë të caktuara të saj, por në plotëni.

Me 1 janar janë liberalizuar vizat për kosovarët, madje edhe me Spanjën që tashmë njeh pasaportën tonë. Ndërkohë, Kosova ka kohë që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe KiE. Njohje të reja nuk ka prej kohësh. E vendi është ende nën masa nga aleatët. Ndërkohë që është arritur edhe një marrëveshje me Serbinë, që quhet si “marrëveshja e Ohrit”, e cila do të përmbante disa benifite për Kosovën, po të zbatohej. A mund të presim diçka pozitive këtë vit, qoftë në lidhje me aplikimet që i përmenda më herët, edhe për njohjet, por edhe heqjen e masave ndaj Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjes me Serbinë?

Presidentja Osmani: Në fakt ky vit ka nisur me një sërë lajmesh të mira për Kosovën, nga heqja e regjimit të vizave me BE e deri te konfirmimi nga Departamenti i Shtetit të kërkesës së Kosovës për blerje të sistemeve të armëve mbrojtëse. Për shumë punë që bëjmë intenzivisht, rezultatet shihen tek më vonë. Por, përveç shumë kontakteve me shtete jonjohëse, kemi arritur suksesshëm të rikonfirmojmë gati të gjitha shtetet që u patën deklaruar për gjoja çnjohje, e të ndërtojmë aleanca të reja me shtetet që së shpejti pritet marrin vendimin për njohje.

Aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës është në rrugë të mirë sepse tani, si rezultat i punës që kemi bërë me shtetet anëtare, ka kaluar me sukses faza e parë drejt anëtarësimit, kurse tani aplikacioni do të trajtohet në Asamblenë Parlamentare, para se të shkojë për votën përfundimtare të anëtarësimit në Komitetin e Ministrave. Për më tepër, dorëzimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane dhe po punohet shumë me shtetet anëtare që të ecet përpara në këtë drejtim. Duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova e i gjithë rajoni ynë, jam e bindur se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global dhe po punojme me aleatët tanë në NATO që të bëhen hapa vendimtarë edhe në këtë drejtim.

Sa i përket masave të BE-së, për fat të keq Kosova ende përballet me masa të padrejta e joproporcionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve është goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut. Gjatë kësaj periudhe jam në kontakt të cdoditshëm me shtetet anëtare dhe lidershipin e BE-së në mënyrë që sa më parë të ketë iniciativë për heqjen e masave. Më duhet ta përmend që shumica e liderëve të BE-së që kam takuar tashmë janë në favor të heqjes së masave. Në anën tjetër, arsyet për të cilat janë vendosur masat, sado të padrejta, më nuk ekzistojnë. Kosova ka marrë të gjitha masat për deeskalim të situatës dhe janë krijuar kushtet për zgjedhje të reja në komunat në veri, ndaj BE-ja duhet t’i heq ato masa urgjentisht.

Pashmangshëm më vjen të ju pyes edhe në lidhje me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Ramën. Raportet tuaja më të kanë ndërruar – për të mirë – krahasuar me kohë më parë që asnjeri nuk hezitonit të shfaqni mosdurim për njëri-tjetrin. Ju kemi parë bashkë, madje edhe duke u pajtuar me njeri-tjetrin, dhe në muajt e fundit dukeni edhe sikur jeni me një linjë bashkë. Çfarë ka ndodhur?

Presidentja Osmani: Me qëllim të shtyrjes përpara të prioriteteve tona, është shumë me rëndësi që shqiptarët në rajon të unifikojnë politikën e jashtme. Shqipëria është zëri ynë atje ku nuk kemi përfaqësim, ndaj pavarësisht dallimeve që kemi pasur në disa çështje, ne duhet të vazhdojmë të koordinohemi dhe ta konsiderojmë shtetin shqiptar jo vetëm shtet simotër, por aleat strategjik të fuqishëm në përballje me sfidat që i kemi përpara. Kosova duhet të vlerësojë e të fuqizojë më shumë se çdo herë tjetër aleancat e saj. Bashkëpunimi e bashkërendimi me ata që na qëndruan pranë në momentet më të rënda të historisë sonë është veprim në shërbim të shtetit. Shteti ynë i ka themelet e forta sepse qëndron mbi sakrificën e popullit tonë, por edhe mbi partneritetet që i kemi ndërtuar. Prandaj, bashkëpunimi me Shqipërinë në fuqizimin e shtetit të Kosovës është esencial.

Para se të përmbyllim këtë interviste, sapo kemi hyrë në vitit e ri, 2024. Cila është thirrja/mesazhi i juaj si presidente e vendit, për popullin e Kosovës, Qeverinë, opozitën, shoqërinë civile, mediat e aleatët e vendit, por edhe për ata që po synojnë të largohen nga vendi?

Presidentja Osmani: Shteti ynë i pavarur është një Republikë që evoluon çdo ditë, konsolidohet çdo ditë e më tepër, integrohet gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare dhe është atdheu ynë për të cilin nuk duhet të kursejmë asgjë.

Na duhet një qëndrim i bashkuar në mbrojtje të funksionimit të Republikës sonë në një kohë kur sfidat e sigurisë nuk është se po zvogëlohen. Serbia do ta rrisë agresivitetin, kurse na duhet ta rrisim unitetin në mbrojtje të Republikës. Secili mund të jepë kontribut në këtë drejtim pavarësisht funksionit që ka dhe pavarësisht a është në pushtet apo opozitë, shoqëri civile apo media.