Osmani: Ishte vendim i përbashkët që Rugova të mos jetë në listën e deputetëve

Kandidatja nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka qenë vendim i përbashkët që Teuta Rugova të mos jetë në listën kandidatëve për deputetë.

Ajo kështu tha gjatë vizitës në “Shtëpinë e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova”, njofton Klan Kosova.

“Sot me 7 shtator, në ditën e Kushtetutës së Kaçanikut, ne kemi vendosur që ditën ta fillojmë pikërisht nga vendi ku filloi gjithçka”.

“Në këtë shtëpi të vogël është ndërtuar projekti më i madh – projekti i shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik të Republikës së Kosovës”.

“Ky ka qenë vendi ku Presidenti Rugova së bashku me disa bashkëpunëtorë kanë bërë hapat e parë për konsolidimin e këtij shteti”.

“Këtu jo vetëm që është punuar për idenë e Pavarësisë së Kosovës, por mbi të gjitha, nga kjo shtëpi ka kumbuar zëri i Kosovës nëpër botë”.

I pyetur nga Klan Kosova se si erdhi vendimi që fëmijët e Presidentit Rugova të mos jenë në listën e kandidatëve për deputetë, Osmani ka thënë se ky ka qenë një vendim i përbashkët.

“Ky ka qenë një vendim i përbashkët dhe besoj që edhe vet familja Rugova tashmë ju ka njoftuar. Ka qenë vendim i përbashkët i yni me Teuta Rugovën”.

“Kësaj radhe nuk presim të kemi probleme të tilla. Ne presim që lista të certifikohet nga ana e KQZ-së”.