Byroja Kosovare e Sigurimeve ka keqmenaxhuar me qindra mijëra euro

Qindra mijëra euro janë keqmenaxhuar nga Byroja Kosovare e Sigurimit, konkretisht Departamenti i dëmeve, gjatë viteve të kaluar.

Në të paktën 10 raste, Byroja Kosovare e Sigurimeve, nuk ka paguar policë-mbajtësit deri sa ka mbajtur jashtëligjshëm rentën për të dëmtuarit ani pse rregulloret dhe ligjet në fuqi e obligojnë atë që këto para të ndahen në baza mujore.

Bazuar në një raport të brendshëm të Auditimit për vitin 2017, shihet se Byroja e Sigurimit e Kosovës, kishte bërë dhjetëra shkelje procedurale te mbyllja e lëndëve, duke i ekzekutuar pagesat me urdhër për transfer nga përmbaruesit, e jo përmes pagesave të rregullta në bazë të vendimit të gjykatave përkatëse.

Vlera e këtyre lëndëve ishte 243 mijë e 490 euro, nga to 10 ishin pagesat për rentën me përmbarim.

Por, dy rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës e thonë të kundërtën, raporton ktv.

Rregullorja e parë, ajo për përcaktimin e kritereve për vlerësimin e dëmeve jo materiale nga auto-përgjegjësia e përcakton rentën si formë të kompensimit të dëmit në para që paguhet në baza mujore, në mënyrë periodike ose në formë të shumës totale bazuar në marrëveshjen ndërmjet Siguruesit dhe të dëmtuarit.

Neni 15 i kësaj rregulloreje për përcaktimin e kritereve për vlerësimin e dëmeve jomateriale nga autopërgjegjësia, thekson se përfaqësuesi i autorizuar është i obliguar që me rastin e zhvillimit të

procedurës gjyqësore të bëjë përpjekje që kontesti të përfundojë sa më parë me marrëveshje gjyqësore, arbitrazhit apo me marrëveshje jashtëgjyqësore.

Por, në rastin konkret nuk ka ndodhur, renta është mbledhur dhe është marrë vetëm përmes përmbaruesit.

Ndërsa, rregullorja mbi procedurat e trajtimit të kërkesave për kompensimin e dëmeve që rrjedhin nga sigurimi i detyrueshëm nga auto-përgjegjësia, thekson rastet se kur ajo jepet, që janë humbja e përkohshme ose tërësishme e aftësisë për punë ose edhe në rastin kur i siguruari humb jetën.

Në një përgjigje elektronike, Byroja Kosovare e Sigurimeve u ka rënë tërthorazi përgjigjeve duke mënjanuar faktin e keqpërdorimeve dhe vetëm duke u lavdëruar se në këto vite ka arritur stabilitet financiar.

Aty, gjithashtu, i bëhet thirrje Policisë së Kosovës të aplikojë masat e parapara me ligj për mosregjistrim të veturave dhe gjithashtu gjykatat të mos i zvarrisin këto raste.

“Çdo qytetar duhet marrë përgjegjësitë dhe siguruar automjetet e tyre, pasi investojnë në atë çfarë është e vlefshme, e cila është e ardhmja e tyre. Fatkeqësisht, të jesh i pasiguruar do të thotë se do të jesh më afër rrezikut dhe problemeve të mundshme dhe humbjeve tjera materiale.

Mund të tingëllojë e vrazhdë, por është detyrë edhe e shtetit që të investohet në atë çka është më e vlefshme, p.sh. MPB/Drejtoria e Policisë Rrugore duhet të aplikojnë masat e parapara sipas Ligjit për

Trafikun Rrugor mbi mos-regjistrimin e automjeteve, si dhe njëkohësisht gjykatat mos të prolongojnë procedimin ndaj shkaktarëve të aksidentit, mbase këto po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të automjeteve të pasiguruar”, ka thënë Byroja Kosovare e Sigurimeve.

Po ashtu, është vërejtur se ka mungesë të mjeteve në llogarinë e Kompensimit pas arritjeve të pajtimit gjyqësor për pagën e rregullt të dëmeve, si dhe janë identifikuar vonesa në pagesat e dëmeve pas arritjes së marrëveshjes jashtëgjyqësore.

Por, BKS-ja mohon vonesat duke theksuar se të gjitha kërkesat për dëme trajtohen ne mënyrë efektive dhe brenda afatit ligjor, dhe se dëmet në përgjithësi mbyllen jashtë gjykatës.

Në përgjigje, thuhet se në periudhën prej 9 vjetësh janë paguar rreth 33 milionë euro.

“Vitin e kaluar, nga totali i kërkesave, 94 për qind e dëmeve janë kryer në procedurë të rregullt jashtë gjykatës.

Pra, në terma rregullator, kemi lëvizur mjaft, sepse nga periudha e vitit 2010 – 30.06.2019 Industria pagoi rreth 33 milionë euro për klientët në Fondin e Kompensimit.

Andaj, nuk ka mungesë të mjeteve në Fondin e Kompensimit. Kishte, por siç u shprehëm edhe më lart janë mënjanuar dhe kemi arritur stabilitet në sektorin financiar, pasi duhet pasur parasysh se ky Fond financohet nga Kompanitë e Sigurimit dhe administrohet nga BKS-ja”, ka theksuar më tej BKS-ja.

Kohavisioni ka pyetur zyrtarë në Bankën Qendrore të Kosovës, se cilët janë hapat që ka marrë ky institucion për t’i mënjanuar këto shkelje në BSK, por ata nuk janë përgjigjur.