Osmani: Marrëdhëniet e shkëlqyeshme me Turqinë do të vazhdojmë t’i thellojmë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha që Kosova është interesuar që të vazhdojë të mbajë marrëdhëniet e mira me Turqinë.

Osmani ka folur në një konferencë të përbashkët me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, tha që do të vazhdojnë të thellohen edhe më tutje marrëdhëniet me Turqinë.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme që sot të mirëpritem në Turqi nga presidenti Erdogan, së bashku me një delegacion, ku përfaqësohet edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, Parlamenti i Kosovës dhe Ushtria e Republikës së Kosovës. Kjo e dëshmon përkushtimin tonë që raportet me Turqinë, ashtu siç kanë qenë të shkëlqyeshme deri tani, të vazhdojmë t’i mirëmbajmë, por të punojmë që të gjithë së bashku që t’i thellojmë”.

“Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për institucionet dhe popullin e Turqisë, për përkrahjen bilaterale që e kanë dhënë në raport me shtetin tonë dhe në këtë aspekt mbesim të përkushtuar t’i ruajmë dhe t’i avancojmë marrëdhëniet tona politike, njerëzore dhe ekonomike”.

Osmani theksoi që Turqia shumë shpesh ka qenë “zëri ynë në forume ndërkombëtare, aty ku Kosova akoma nuk ka zë”.

“Sot, gjatë takimeve me presidentin Erdogan, rikujtuam edhe ndihmën e jashtëzakonshme që ai personalisht e ka dhënë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës”, tha ajo.