Lirimi i masave kufizuese varet nga rritja e nivelit të vaksinimit

Kryeministri Albin Kurti, në ceremoninë pritëse të mbi gjysmë milioni vaksina nga ShBA, bëri thirrje për vaksinim masiv të qytetarëve, duke thënë se edhe masat kundër pandemisë varen drejtpërdrejt nga imunizimi i popullit.

Ai tha se janë disa arsye se pse fushata e vaksinimit vazhdon të jetë çështje urgjente e Kosovës dhe një ndër kryesoret është se imuniteti i qytetarëve po bie.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë mbrojtje maksimale, si dhe të vazhdojmë të shmangim nivelet e larta të infektimeve, hospitalizimeve dhe shpëtimit të jetës”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu deklaroi se lirimi i masave te kufizimit varet nga rritja e nivelit të vaksinimit në vend.

“Lirimi i mëtejshëm i masave kufizuese varet drejtpërdrejt nga rritja e nivelit të vaksinimit. Si kryeministër i Kosovës jam gjithnjë i vetëdijshëm për vështirësitë e shkaktuara nga masat kufizuese në jetën e qytetarëve, sidomos në rrafshin ekonomik. Mirëpo, në mënyrë që të kemi mundësi që të ndjekim shembullin e vendeve të tjera që janë duke larguar masat e tyre kufizuese, ne duhet më së pari që të arrijmë nivelin e tyre të vaksinimit në raport me popullsinë”, shtoi kryeministri.

Kurti tha se për të kaluar nga një strategji vaksinë plus në një strategji vetëm vaksina, qytetarët duhet të vaksinohen me dy dozat dhe pas tre muajve nga doza e dytë, të marrin atë përforcuese.

Kurti shtoi se vaksinat vazhdojnë të jenë jetike në luftën kundër pandemisë meqë “e vetmja parashikueshmëri e virusit është paparashikueshmëria e tij”.

Kryeministri tha se donacioni i sotëm nga ShBA e bën të mundshëm imunizimin e qytetarëve dhe për këtë shprehi mirënjohjet e tij.