Osmani: Marrëveshja me MCC-në vulos mbështetjen e SHBA-së për Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar historike nënshkrimin e sotëm të Marrëveshjes për Programin Kompakt me MCC-në.

E para e shtetit, në një prononcim për RTK-në menjëherë pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, ka thënë se ky do të jetë investimi më i madh në sektorin e energjisë ndër dekada.

“Një marrëveshje historike për zhvillimin e vendit në veçanti për sektorin energjetik. Sektori i energjisë gjithmonë ka pasur rëndësi të madhe për zhvillimin e një vendi, por tani me të gjitha krizat energjetike që po ndodhin është e domosdoshme që Kosova të bëjë hapa përpara në sigurinë energjetike dhe siç e dini ky është investimi më i madh në sektorin energjetik që është bërë për dekada më radhë në shumën prej 236.7 milionë dollarë, i cili përfshin disa komponente të rëndësishme, të cilat do të sigurojnë siguri energjetike për vendin tonë dhe në të njëjtën kohë do të na lejojnë të bëjmë hapa përpara drejt energjisë së ripërtritshme e po ashtu edhe krijimit të vendeve të reja të punës, e që në fokus kanë punësimin e grave”, ka theksuar Osmani.

Sipas saj kjo marrëveshje e ka vulosur mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA-të kanë në raport me Kosovën.

“Në të njëjtën kohë kjo tregon se ky shtet gjithmonë është në anën tonë si aleati ynë më i rëndësishëm dhe më i fortë, qoftë për proceset historike që i kemi kaluar sa i përket lirisë dhe pavarësisë sonë, por edhe tash sa i përket zhvillimit ekonomik, i cili është i domosdoshëm që Kosova të qëndrojë fort në këmbët e saj”, ka shtuar presidentja.

Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës po punojnë në vazhdimësi që jo vetëm nga MCC por edhe nga institucionet tjera të përfitojnë mbështetje në sigurinë energjetike.