Osmani me ambasadorin amerikan diskuton edhe për marrëveshjen e Bratislavës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier.

Për këtë ka njoftuar zyra e presidencës teksa dha detaje për përmbajtjen e bisedës.

Ndër tjerash është folur për vijueshmërinë e hapave konkretë të zbatimit të marrëveshje së Bratislavës në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

”Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet në vend dhe vijueshmërinë e hapave konkret që po ndërmerren në përputhje me atë se çfarë është dakorduar në Bratislavë”.

“Në takim u diskutua edhe për projektet zhvillimore të cilat po realizohen nga ShBA-të në Kosovë, përkrahjen e SHBA-ve për sektorin e sigurisë si dhe rëndësinë e shtimit të bashkëpunimeve të tilla në fusha të interesit të përbashkët”, thuhet të njoftimin e presidencës.

Më 10 korrik të këtij viti, Kosova e përfaqësuar nga Besnik Bislimi ishte pajtuar me Bashkimin Evropian për masat e deskalimit të situatës në Veri.

Një ndër këto masa ishte edhe redukimi i Policisë rreth objekteve të komunave veriore. Po ashtu ishte përmendur edhe hapja e mundësive për zgjedhje të jashtëzakonshme në Veri.

Megjithatë, BE-ja akoma nuk është bindur duke mos i larguar ndëshkimet ndaj Kosovës.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së, ka thënë të enjten se “Kosova kishte sjellje joevropiane”. /Fokusi.info/