Osmani-Metës: Besoj se angazhimin për Kosovën do e vazhdoni kurdo që ju jepet mundësia

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, beson se presidenti në largim i Shqipërisë, Ilir Meta, do të jetë zë i fuqishëm për Kosovën edhe pas mandatit.

Osmani në konferencën e përbashkët me Metën thotë se edhe mandati i tij po përfundon miqësia, bashkëpunimi dhe respekti do të mbesin përherë, njofton Klankosova.tv.

“Keni qenë zëri ynë aty ku ne nuk jemi përfaqësuar e në veçanti zë i fuqishëm kundër tendencave për ndarje të Kosovës e ndryshim kufijsh, ide e aventura këto të rrezikshme pasojat e të cilave po ndihen edhe sot e kësaj dite. Por, të cilave bashkërisht u kemi dhënë fund”.

“Gjatë udhëheqjes suaj kemi pasur një bashkëpunim dhe koordinim të shkëlqyeshëm për të cilën dua të ju falënderoj. Kam besimin e plotë se në angazhimin e mëtejmë tuaj sërish do të vazhdoni të jeni zëri i Kosovës aty ku u jepet mundësia. Kosova ka qenë dhe do mbetet shtëpia juaj e dytë prandaj jeni të mirëseardhur kurdo. Po e përfundoni mandatin por miqësia, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë do të mbesin të përhershme”.

“Është mese e nevojshme që 19 marrëveshjet e nënshkruara një muaj më parë të zbatohen edhe në praktikë për ta forcuar edhe më tutje bashkëpunimin në çdo aspekt ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë e në veçanti marrëveshje këto që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë” tha Osmani.