Osmani: Reçaku është dhimbja jonë, vendi ku filloi të marrë formë liria jonë

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e 23 vjetorit të Masakrës së Reçakut, ka përkujtuar ditën e kobshme kur u vranë mbi 45 banorë të këtij fsahti, banorë të pambrojtur dhe duarthatë.

Osmani ka thënë se me të drejtë, shefi i OSBE-së aso kohe, William Walker, e ka konsideruar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

“Tendencat për ta mohuar masakrën në Reçak, janë përpjekje e qartë për rehabilitim të atyre që kryen krimin. Por propaganda nuk mund t`’i ndryshojë faktet historike. E sidomos jo një të vërtetë që ka ndodhur para syve të botës. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit, e Recaku është vetëm njëra nga masakrat e shumta të tmerrshme ku u dëshmua edhe qëllimi i regjimit të atëhershëm për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut” ka deklaruar Presidentja.

Ajo gjithashtu ka thënë se mohimi i këtij krimi dhe fakteve të luftls, është përsëritje e krimit.

Megjithatë, sipas Presidentes Osmani, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande nga bashkëpunëtorë të regjimit të Millosheviqit.

“Historia e dokumentuar nuk mund të ndryshohet dhe as nuk është subjekt i interpretimit. Ndaj një krimi siç është Reçaku, propaganduesit duhet të ndjejnë keqardhje, e në të njëjtën kohë edhe të kërkojnë falje e të sjellin drejtësi!” ka shtuar Presidentja.

Ajo ka kujtuar familjen Metushi, një anëtare e së cilës është akoma pjesë e listës së mbi 1600 personave të zhdukur, duke e konsideruar Reçakun si folenë ku marrë formë liria e Kosovës.

“Reçaku është dhimbja jonë dhe nevoja për ta ruajtur paqen dhe dinjitetin njerëzor. Ky vend paraqet fillimin e fundit të përpjekjeve të regjimit serb për shfarosjen e shqiptarëve. Recaku është njëri nga vendet krej ku filloi të marrë formë liria jonë” ka përfunduar Presidentja.