OVL e UÇK-së: Aktakuza ndaj Thaçit e të tjerëve është poshtërsi, po synohet zvarritja e procesit

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e reja të përfshira në aktakuzën e Prokurorisë së Specializuar. Gjatë ditës së marte, ata janë përballur me akuzat e reja që Prokuroria i ka rënduar në lëndën kundër tyre.

Në fjalën e tyre, ish-krerët e UÇK-së kërkuan që gjykimi të përshpejtohej, duke pretenduar se po mbahen pa shkak që 18 muaj në paraburgim në Hagë.

Katër ish-udhëheqësit e luftës çlirimtare, u  paraqitën veçmas në seancën e Gjykatës Speciale, gjatë së cilës u deklaruan të pafajshëm për akuzat e reja të Prokurorisë.

Aktakuza, e cila është dorëzuar gati dy vite më parë, është plotësuar me pretendime të reja që përfshijnë krime të supozuara në fshatrat e Suharekës dhe në qytetin e Gjilanit, për të cilat Nacionale ka raportuar më herët.

Më shumë se 30 faqe të reja i janë shtuar aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit.

Faton Klinaku, kryetar në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka thënë Nacionales se kjo gjykatë nuk mund të jetë e pavarur. Sipas tij, janë krimet e Serbisë ato që duhen dënuar.

“Ku ka më poshtërsi se me e quajt UÇK-në ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ju e dini që ne nuk pajtohemi me këtë gjykatë për shkak se është një gjykatë sepse është gjykatë e njëanshme që nuk i dënon krimet. Krimet që duhen dënuar janë ato që i ka kryer Serbia. Është turp nga kjo prokurori, nëse UÇK-ja është ndërmarrje kriminale atëherë edhe NATO është e tillë”, tha ai.

I pyetur se a planifikojnë të vizitojnë ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Klinaku u shpreh se nuk do të ketë vizita sepse nuk e njohin këtë gjykatë.

“Jo, sepse nuk e njohë gjykatën speciale. Unë si organizatë e veteranëve gjykatën nuk e njoh pavarësisht miratimit nga Kuvendi i Kosovë”, shtoi Klinaku.

Sa i përket zgjatjes së procesit, i pari i veteranëve tha se kjo zgjatje po ndodhë me qëllim të përfitimit material të personelit të Gjykatës Speciale.

“Aktakuza e plotësuar është bërë me qëllim të stërzgjatjes së procesit të punës në mënyre që prokuroria të marrë sa më shumë paga të majme, gjykatësit por edhe avokatet. Çdo aktakuzë që rëndon mbi krerët e UÇK-së, janë kaluar tashmë nëpër procese të ndryshme gjyqësore, qoftë në UNMIK qoftë në EULEX qoftë në tribunal të Hagës”, theksoi i pari i OVL.

Ndërsa, avokati Taulant Hodaj deklaroi për Nacionale se në aktakuzë nuk janë shtuar pika të reja, por vetëm raste ku dyshohet të jenë kryer krimet.

“Aktakuza është zgjeruar në dy vend-ngjarje, pra nuk ka pika të reja të aktakuzës, por ka dy vende ku përfshin aktakuzën aktuale. Kjo normal që rëndon aktakuzën, përtej kësaj këto aktakuza e ripërsërisin procesin sepse rifillojë prapë emocionet paraprake, e drejta për të kundërshtuar, informohen palët me të drejtat e tyre, rrjedhin afatet për të kundërshtuar aktakuzën dhe kjo merr kohë, kësisoj, rrjedhimisht e zgjatë procedurën”, tha Hodaj.

Hodaj, që është avokat i licencuar në Gjykatën Speciale, deklaroi se nuk dihet se sa do të zgjasë procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Këtë nuk e dini askush, ne vetëm mundemi të supozojmë, mendoj madje as gjyqtari nuk e di këtë për arsye se është ndër rastet e para, praktika e re në këtë gjykatë, nuk ka një afat të caktuar se sa kohë merr, por nëse e marrim krahasimin se si ka shkuar deri më tani, ka gati dy vite që nuk ka filluar shqyrtimi gjyqësor. Nuk proces para vitit të ardhshëm të fillojë shqyrtimi gjyqësor në këtë rast”, tha avokati Hodaj.

Aktakuza kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Ndërsa sot është mbajtur edhe një seancë ndaj Thaçit dhe të tjerëve, e cila u karakterizua me një fjalim emocional të Krasniqit, ish-zëdhënësit të UÇK-së.