OVL e UÇK-së dënon ftesat e Speciales, thotë se Haradinaj do të dalë i pafajshëm (Video)

OVL e UÇK-së ka dalë në një konferencë për media pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan fokusi.info.

Kryetari i OVL-së, Hysni Gucati, ka thënë se dorëheqja e kryeministrit për t’iu përgjigjur Speciales, është për t’u përshëndetur.

Ai tutje ka shtuar se gjesti i Haradinajt ka dëshmuar se kombi është më i rëndësishëm derisa ka shtuar se ai do të dal i pafajshëm.

“Gjesti i tij që ka jep dorëheqje për t’iu përgjigjur Speciales është për tu përshëndetur. Me këtë ai ka dëshmuar se interesi për kombin është më i rëndësishëm. Ai sërish do të dal i pafajshëm”, ka thënë ai.

Tutje, OVL i ka dënuar ftesat e Speciales derisa ato i kanë quajtur të papranueshme.

“OVL i dënon këto ftesa dhe për ne janë të papranueshme. Ne kemi luftuar për shtet sovran dhe jo për formim të gjykatave të tilla puro politike e të njëanshme ku përndiqen vetëm pjesëtarët e UÇK-së”, thotë ai./fokusi.info/