OVL-UÇK mbështet protestën e organizuar nga fëmijët e dëshmorëve

Të hënën e 23 janarit, është thirrur një protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për shkak të deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për politikanin e ndjerë serb, Olivier Ivanoviq, të cilin Kurti e përshkruajti si njeri të përkushtuar, shkruan Fokusi.info.

Kjo protestë është thirrur nga fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me moton: “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë!”.

Protesta pritet të mbahet në ora 12:00 dhe sipas organizatorëve, ka synim që të ndërgjegjësohen përfaqësuesit politik dhe të jenë më të përgjegjshëm ndaj historisë.

“Në këtë protestë ftohen të marrin pjesë të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim, të cilët mendojnë se heshtja ndaj veprimeve destruktive dhe të rrezikshme është po ashtu një bashkëngjitje në faj.”, thuhet në njoftim.

Kjo protestë është mbështetur edhe nga OVL UÇK.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka bërë të ditur se e mbështet protestën.

” E mbështes këtë protestë të organizuar nga fëmijët e dëshmorëve”, ka shkruar Klinaku.

Edhe dega e OVL UÇK-Mitrovicë përmes një njoftimi i ka ftuar familjet e Dëshmorëve, Invalidët dhe Veteranët e Luftës së UÇKsë, të Komunës së Mitrovicës për pjesëmarrje në protestë.

NJ O F T I M

Njoftojmë të gjitha Familjet e Dëshmorëve, Invalid dhe Veteranë të Luftës së UÇKsë, të Komunës së Mitrovicës se me datën 23,012023, e Hënë, do të mbahet protestë në Prishtinë, protesta fillon në ora 12:00, thuhet në njoftim”.