Paçarizi flet për përleshjen VV-LDK: Janë nxehur gjakrat, por situata do të kalohet

Analisti politik dhe profesori universitar, Rrahman Paçarizi, ka thënë se situata e krijuar midis dy partive politike fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës, do të tejkalohet pasi që tashmë janë nxehur gjakrat dhe janë acaruar militantët e të dyja partive politike, të cilat kanë nisur të hedhin opsione të tjera për koalicione të tjera.

I pyetur nga Gazeta Metro në lidhje me prishjen e raporteve VV-LDK, pas deklaratës së dhënë nga deputeti i VV’së, Glauk Konjufca se LDK po kushtëzon marrëveshjen me pozitë të presidentit, Paçarizi ka thënë se nëse një deklaratë e tillë u dha pa koordinim me LDK’në, i ka dhënë goditjen e fundit koalicionit  dhe shpresën e qytetarëve votues të këtyre dy partive për një qeverisje të përbashkët.

‘Unë mendoj se kjo situatë do të tejkalohet ndonëse tashmë janë nxehur gjakrat dhe janë acaruar militantët e të dyja partive që kanë nisur të hedhin opsione të tjera për koalicione të tjera. Mirëpo, nëse deklarimi i mbrëmshëm i z.Konjufca ishte i pakoordinuar me LDK’në, unë mendoj se ai deklarim i ka dhënë goditjen e fundit koalicionit, nëse jo mundësisë për koalicion, atëherë i është dhënë goditja shpresës së qytetarëve votues të këtyre dy partive për një qeverisje ndryshe ku konceptet dhe programi mbizotërojnë në raport me postet’, ka thënë Paçarizi.

Takimi i fundit mes liderëve të VV’së dhe LDK’së nuk solli asgjë konkrete për koalicionin qeverisës, për shkak të mospajtimeve në ndarjen e ministrive. Kjo situatë u tensionua edhe më shumë pas deklaratave të Glauk Konjufës nga VV, ku në një studio televizive tha se LDK po kushtëzon marrëveshjen me pozitën e presidentit.

Ndërsa, i menjëhershëm ishte reagimi nga LDK’ja, ku deputeti i kësaj partie, Lumir Abdixhiku tha se mosmarrëveshjet mes dy partive nuk bëhen duke ofenduar në debate televizive, por duke u diskutuar dhe punuar për to sy më sy. /gazetametro.net