Paçarizi: Mustafa s’harron lehtë, e fal Kurtin me çmimin e presidentit

Analisti politik, Rrahman Paçarizi, e ka komentuar takimin e fundit të Albin Kurtit me Vjosa Osmanin më shumë si gjest provokimi për të parë se si do të pritet nga jashtë.

“Takimi si i tillë do te duhej të jetë normal, por më shumë në atë pjesën që është provokimi. E kanë gjuajtur një ballon provues atje për të parë se si do të reagohet dhe është provokim aq më tepër për faktin se ky takim ndodh vetëm një ditë pas emërimit të Lutfi Hazirit në grupin negociator, apo udhëheqës i grupit negociator të LDK-së për negociata me Vetëvendosjen”.

dhe takimi është mbajtur në një lokal, pra nuk është takim zyrtar, është takim më miqësor dhe mesazhet duket që janë goxha kontroverse. Duken që janë nga pak edhe sinjale ndoshta edhe për Hazirin dhe pjesën tjetër të LDK-së por edhe për opinionin i cili do të merret tash me këtë punë”.

“Mund të jetë që qëllimi i Albin Kurtit ka qenë që të mbetet në top të diskutimeve në vetë kreun e diskutimeve në Kosovë lidhur me atë se çka po ndodh, pastaj vonesat në harmonizimin e dy partive apo telashet eventuale që mund t’i kenë, sepse mbrëmë u përmend çështja e presidentit, LDK-ja e hodhi poshtë çështjen e presidentit me çka Vetëvendosje nuk ka thënë se janë pajtuar ndonjëherë se mund ta garantojnë postin e presidentit për Isa Mustafën dhe takimi i Albin Kurtit me Vjosa Osmanin është takim me plot kundërthënie të kësaj natyre por më shumë për të nxitur diskutime”.

“Negociatat do të zhvillohen mes dy partnerëve të vetëm të mundshëm për ta bërë qeverinë. Nëse hyn Nisma, ajo mund të futet në qeveri ndoshta përmes LDK-së por nuk mendoj që Vetëvendosje do të jetë shumë e disponuar për ta pritur në koalicion si partner, prandaj LVV dhe LDK janë parti që tash për tash nuk kanë një parti tjetër”.

“Sigurisht që do të jenë të kujdesshëm siç kanë qenë deri tash, p.sh. me rastin e Lutfi Hazirit apo dikush i kësaj partie din me gjuajt një shkëndijë sa me i prish pak matematikat edhe me e shti opinionin me e diskutu. Takimi i sotëm është takim për kafe dhe mendoj që Vjosa Osmani është duke u përgatitur për të qenë në qeveri sepse ka raporte shumë të mira me Albin Kurtin dhe ai e sheh si një bashkëpunëtore të mirë dhe besnike, ndoshta në ministrinë e jashtme”.

“Ma merr mendja që Kurti e sheh Osmanin si një krah të fortë dhe bashkëpunëtore besnike. Atij i duhet dikush nga LDK-ja që ta udhëheqë ministrinë e jashtme. Nuk besoj që kjo ministri do të udhëhiqet nga dikush i VV-së”.

“Isa Mustafa është shumë finok në politikë, është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ai ka për ta konfiguruar qeverinë dhe të gjitha raportet me LVV-në ashtu që në mënyrë që me qenë i paevitueshëm si kryeministër. Këtë matematikë mundet me e prish veç dialogu. Nëse ndodh diçka me dialogun që e rrëzon qeverinë, atëherë është diçka tjetër”.

“Ai ka mbërri ta kthejë LDK-në prej pozitës ku ka qenë dhe ta kthejë në pozitën ku është tash. Nuk është Isa Mustafa personi që harron ose fal shumë lehtë. Isa Mustafa di të bashkëpunojë dhe fal përkohësisht, por në një moment të caktuar ai e din saktë se ku ka për t’u kthyer. Nuk besoj që e ka falur Albin Kurtin. Bashkëpunon me të, por e fal me çmimin e presidentit”, ka thënë Paçarizi në emisionin Analiza Zgjedhore në Klan Kosova.