Pacolli nuk i lë pa punë këshilltarët e partiakët, dy i dërgon konsuj në Gjermani e një e çon në Çeki

Ministria e Punëve të Jashtme, në përfundim e sipër të punëve, ka bërë edhe disa emërime.

Burime të KTV-së kanë bërë të ditur se këshilltarët e ministrit në largim, Pacolli, Liridon Sadriu dhe Dedë Abazi, janë emëruar për konsuj në shtetin e Gjermanisë.

Një tjetër vendim emërimi për konsull, Pacolli e ka bërë për zyrtarin e partisë së tij, Aleanca Kosova e re, Ismet Hajdinin, për në shtetin e Çekisë.

KTV-ja ka kontaktuar Sadriun e Hajdinin, të premten.

I pari ka sugjeruar që pyetjet t’i drejtohen Zyrës për informim, e tjetri, pasi është lajmëruar fillimisht, ka mbyllur telefonin më vonë.

Gjithashtu, deri dje, drejtori i Departamentit për Financa dhe Shërbime në MPJ, Blerim Xhemajli, nga informacionet e KTV-së, është emëruar për konsull në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri.

Xhemajli, ish-kandidat i PDK-së për kryetar të Suharekës, i kontaktuar nga KTV-ja, ka thënë të jetë emëruar për këshilltar në këtë ambasadë dhe vendimin e ka pranuar në mes të këtij muaji.

Televizioni ka tentuar të marrë përgjigje për këto emërime nga Sekretari i Ministrisë, Fitim Sadiku, drejt të cilit janë dërguar pyetje me shkrim, por i njëjti nuk është përgjigjur as në thirrjet telefonike.

As Zyra për media e kësaj ministrie nuk ka kthyer ndonjë përgjigje për këto emërime.