Pacolli pas kalimit të pragut: Jemi krenarë që vendet tona në Kuvendin e Kosovës kanë shqetësuar Vuçiqin dhe aleatët e tij

Pas kalimit të pragut koalicioni Nisma-AKR-PD, ka reaguar kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se përpjekjet për të manipuluar vullnetin e popullit të Kosovës janë kundërshtuar dhe mbizotëroi sundimi i ligjit.

“Ri-numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit ka konfirmuar se koalicioni Nisma-AKR-PD është pjesë e Kuvendit të Kosovës. Përpjekjet për të manipuluar vullnetin e popullit të Kosovës janë kundërshtuar dhe mbizotëroi sundimi i ligjit”, ka thënë Pacolli.

Më tej ka shtuar se ky koalicion do të përfaqësojë, siç duhet interesat e qytetarëve përmes Kuvendit.

“Ne do të përfaqësojmë në mënyrën më të mirë interesat e votuesve tanë dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës për prosperitet ekonomik, sundim të ligjit dhe ruajtjen e miqësisë sonë me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara në veçanti. Jemi krenarë që vendet tona në Kuvendin e Kosovës kanë shqetësuar Vuçiqin dhe aleatët e tij”, ka thënë Pacolli.

Ndërkaq, ditë më parë, Pacolli pati thënë se nëse koalicioni Nisma-AKR-PD e kalon pragun nuk do t’ju bashkohet LVV-LDK-së, në Qeveri por do të qëndrojnë në opozitë.

Ai po ashtu ka thënë se një grup parlamentar i përbashkët do të ishte i mirëseardhur mirëpo nëse kanë ide të kundërta edhe mund t’i ndajnë rrugët me Nismën.