Pacolli thotë se termocentrali me bazë gazi si lëndë djegëse do të ishte zgjidhja për krizën energjetike

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, është përfshirë në diskutimet mbi krizën energjetike në Kosovë, duke thënë se një termocentral që prodhon energji elektrike me bazë gazi si lëndë djegëse do të ishte zgjidhja.

“Unë e kam theksuar këtë dhe kam insistuar që kjo të ndodhë në Kosovë”, ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook.

“Në vitin 2007/2009 kemi pasur investitorë potencialë për gazifikimin e linjitit tonë (prodhimi i gazit nga linjiti) dhe më tej ndërtimin e një termocentrali me gaz, prej 550 mgw”, vazhdoi tutje Pacolli.

“Për këtë propozim në atë kohë më akuzuan hapur se dua të dëmtoj resurset e Kosovës dhe thanë se linjiti është lënda jonë e parë e përhershme. Askush nuk më besoi se linjiti i patransformuar nuk mund të përdoret në të ardhmen”, u shpreh tutje ai.

“Më vjen keq që në atë kohë askush nuk më erdhi në ndihmë për të mundësuar realizimin e këtij projekti, e tani duket se çmimi i energjisë po rritet në mënyrë të pakontrolluar”.

“Pra, po dëshmohet se për të krijuar diçka të vlefshme ka nevojë për një vizion të qartë, çfarë në të ardhmen?”, pyeti Pacolli në fund.