​Naim Fetahu uron Shpejtim Bulliqin për fitore në Podujevë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu ka përgëzuar Shpejtim Bulliqin e Lëvizjes Vetëvendosje për fitore qysh në raundin e parë në zgjedhjet e parakohshme në këtë komunë.

Ai në një postim në Facebook ka këshilluar kryetarin e ri të komunës që t’i marrë urgjentisht parasysh kërkesat e qytetarëve të Podujevës.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Podujevës,

E filluam fushatën në muajin mars dhe e përfunduam këtë të diel. Përgjatë kësaj kohe, edhe pse në situatë të rënduar nga pandemia COVID-19, unë isha në kontakt të vazhdueshëm me ju, në takime dhe bashkëbisedime të shumta.

U jam shumë mirënjohës dhe shpreh falënderimet më të përzemërta për ju që më dhatë rastin të shpalosë ofertën time për Podujevën, ofertë e cila besoj që ishte zgjidhja e një krize të kahmotshme e cila e ka kapluar qytetin tonë, por që ajo nuk e mori mbështetjen e nevojshme.

E uroj Shpejtim Bulliqi dhe i dëshiroj punë të mbarë. Kërkoj që t’i marrë urgjentisht parasysh kërkesat dhe hallet e qytetareve te Podujevës, sepse ata e meritojnë një jetë më të mirë.

Unë nuk do të ndalem por do të mbes i përkushtuar për punë në të mirë të qytetarit dhe vendit. Duke ju falënderuar përzemërsisht secilin nga ju që më ndihmuat në ketë kohë të vështirë për vendin, ju them se u jam mirënjohës përgjithmonë.