Pahor: S’pajtohemi me Osmanin për Asociacionin, Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen

Presidenti slloven Borut Pahor, në konferencën e përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se s’pajtohen për çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Pahor tha se Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel.

“Siç thashë më herët, Kosova dhe Sllovenia kanë këndvështrime të njëjta por mes meje dhe Vjosës ka edhe diferenca sa i përket impelementimit të marrëveshjeve të arritura. Marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit ishte edhe impelementimi i marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Unë mendoj se koleges time, Vjosës i kam thënë se pres që pavarësisht siç e mbështes të drejtën ligjore dhe Gjykatën Kushtetuese të gjendet një zgjidhje për implementimin e kësaj marrëveshje”, tha ai.

Por, Presidentja Osmani është shprehur sërish kundër zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin, pasi ajo marrëveshje e cenon rendin kushtetues të Kosovës.

“Lista e marrëveshjeve që Serbia s’i ka zbatuar është e gjatë. Serbia në vitin 2013 ka nënshkruar obligimin që t’i zhbëjë të gjitha strukturat ilegale në Kosovë, jo vetëm që nuk e ka bërë këtë, por përkundrazi vazhdon t’i fuqizojë ato. Sa i përket obligimeve që Kosova ka marrë, Kosova ka zbatuar 99% të obligimeve dhe ekziston një që s’e ka zbatuar, Marrëveshja e Asociacionit për një arsye fundamentale sepse ajo marrëveshje bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës”, tha Osmani.