Pajtimi i gjaqeve në Strofc të Vushtrrisë (Video)

Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë konsiderohet si një prej periudhave më të bardha të historisë shqiptare, shkruan Fokusi.info.

Hasmëritë disavjeçare morën fund me një procedurë të tillë ku u desh të përzihej dashuria, dhembshuria, solidariteti dhe mbijetesa.

Dikush fali gjakun e babait, dikush të të birit e dikush të vëllait. Shumë nga ata që falën, thonë se vepruan mirë që e ndërprenë hasmërinë.

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Ky aksion i pajtimit të gjaqeve ishte organizuar edhe në fshatin Strofc  të Komunës së Vushtrrisë, por edhe në tërë territorin e kësaj komune,  ku shumë familje shtrinë dorën e pajtimit.

Një video që është publikuar, shihet organizimi i pajtimit të gjaqeve në fshatin Strofc të Vushtrrisë, ku bëhet pajtimi i gjaqeve në mes të familjes së Ruzhdi Aliut dhe familjes së Selman Hasanit. Po ashtu, bëhet pajtimi i gjaqeve në mes të familjes së Ramadan Krasniqit dhe Hashim Krasniqit./Fokusi.info/

https://www.youtube.com/watch?v=2mv-GYFJS7A&feature=emb_title