Palmer: Për SHBA-në Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe e padiskutueshme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Serbia dhe Kosova të normalizojnë marrëdhëniet e tyre dhe t’i hapin kështu udhën qëllimit të përbashkët, anëtarësimit në BE. Beogradi duhet të ndërpresë përpjekjet për delegjitimimin e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, kurse Prishtina të heq taksën.

Për SHBA-në Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe e padiskutueshme, tha përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin perëndimor, Metju Palmer në një intervistë ekskluzive për televizionin publik të Vojvodinës RTV.

Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka as një pikëpyetje dhe as një dilemë për sa i përket pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, ndërsa deri te normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës duhet të vihet përmes dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje, ka deklaruar për Radio Televizionin publik të Vojvodinës RTV, përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin perëndimor, Metju Palmer, transmeton RTKlive.

SHBA- ja përmes mbështetjes për dialogut për arritjen e marrëveshjes dy palëshe, nuk ka qëllim të mbajë ane, përkundrazi, synon përkrahjen e të dyja palëve, tha ai.

Marrëveshja, e cila përparon dhe forcon stabilitetin dhe paqen, duhet të jetë shumë dimensionale dhe përfshin çështje që lidhen me politikën, sigurinë dhe çështje tjera, siç janë problemi i të drejtave të njeriut, liria e qytetarëve si dhe mbrojtja e thesarit dhe trashëgimisë kulturore, ka precizuar Palmer në intervistën për Radiotelevizionin Publik të Vojvodinës.

Ai tha se gjatë qëndrimit në Prishtinë ka dhënë mesazh shumë të qartë se duhet hequr taksën ndaj mallrave serbe, pasi kjo është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe vendosjen e dialogut.

Marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse të dyja palët përafrojnë qëndrimet mes tyre, ka theksuar Palmer, teksa ka shtuar se SHBA-ja nuk do të imponojë zgjidhjen për asnjërën pale.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të krijohet një atmosferë pozitive, e cila nuk ekziston tani, por që do të krijohet nëse Beogradi ndërprenë përpjekjet për delegjitimimin e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, kurse Prishtina të heq taksën, ka potencuar Palmer, ndërsa ka përsëritur qëndrimin se për SHBA-në pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe e padiskutueshme.