Palmer përsëri mesazh opozitës: Të lejojnë që presidenti të zgjidhet, gjëja e fundit që i duhet Kosovës janë zgjedhje tjera

Zëvendës ndihmës sekretarin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer i ka kërkuar opozitës në Kosovë që të qëndrojnë në sallë në ditën kur të zgjidhet presidenti apo presidentja e re.

Palmer në “RTV Dukagjini” u shprehë se gjëja e fundit që Kosovës i duhet që të ketë zgjedhje të reja, transmeton Indeksonline.

“Do të dëshironim të shohim qeverinë të formuar, qeveri që do të jetë partnere e mirë e fortë për Shtetet të Bashkuara. Nuk kemi të parapëlqyer në politikën e të tjerëve, punojmë me qeveritë që dalin nga zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike. Duket që ka rrugë shumë të qartë përpara drejt një qeverie të fortë në Kosovë, që mund të jetë partnere e tillë e ShBA-ve.”

“Sa i përket zgjedhjeve për presidencë, ne mendojmë se ato parti që do të jenë në opozitë, të veprojnë me përgjegjësi si opozitë lojale – lojale jo ndaj qeverisë por lojale ndaj shtetit. Të bëjnë punën e tyre, të jenë të pranishëm, të sigurojnë që ka korum për të votuar dhe që institucionet të mund të funksionojnë. Gjëja e fundit që i duhet Kosovës janë zgjedhje tjera. Kosovës i duhet një qeveri, një president dhe rrugëtimi përpara drejt Evropës.”

“Do të dëshironim shumë që t’i shohim ato parti që do të jenë në opozitë duke i kuptuar interesat e tyre në kuptimin më të gjerë të mundshëm e që është sigurimi që institucionet e qeverisjes në Kosovës, themeli demokratik për Kosovën, këto institucione janë të forta dhe të afta. Jam i bindur se në fund të fundit, partitë opozitare do t’i kuptojnë se është në interes të tyre për të lejuar që proceset normale politike të shkojnë përpara, të lejojnë që presidenti të zgjidhet dhe për të lejuar lidershipin politik në Kosovë që të vazhdojë punën e qeverisjes”, u shpreh ai.