Pamje nga zbulimi i laboratorit të drogës në Obiliq

Policia e Kosovës ka zbuluar sot një laborator për prodhimin e substancave narkotike në Obiliq.

Policia njofton se në fshatin Shkabaj Prishtinë, gjatë kontrollimit të shtëpisë se të dyshuarit A.Zh., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar) është gjetur laborator për kultivimin e kanabisit (bimët ishin në fazën finale të rritjes dhe brenda dhjetë ditëve pritej vjelja e tyre).

“Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar/sekuestruar: 594 vazo të mbjella me bime të kanabisit (me gjatësi rreth 2 metra dhe peshë të përgjithshme rreth 300 kg), sistemi i ventilimit, pajisjet për ndriçim, pajisjet për ujitje të bimëve, 10 pako me pesticide, 2 vetura, një revole 7.65 mm, 8 fishekë, 3 telefona si dhe prova tjera materiale”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se me kërkesë të prokurorit dhe urdhër të gjykatësit, shtëpisë që është shfrytëzuar për kultivim të kanabisit i është vënë shiriti rrethues për sekuestrim të përkohshëm.

Prokurori i rastit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me vendim të tij të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.