Pandemia pamundëson zgjedhjet lokale në disa komuna të Kosovës

Ka më shumë se një vit që Podujeva është pa kryetar e ajo e Mitrovicës së Veriut më shumë se gjashtë muaj. Agim Veliu zgjodhi postin e ministrit të Punëve të Brendshme e Goran Rakiq atë të zëvëndëskryeministrit. Për shkak të pandemisë, zgjedhjet nuk mund të mbahen, e nënkryetarët po kryejnë punë të kryetarëve.

Iniciativa për Progres (INPO) që monitoron komunat, kërkon gjetjen e një mundësie që zgjedhjet në këto komuna të mbahen.

“Ligji thotë se me përfundimin e mandatit të kryetarit, pavarësisht me cilën arsye, pushon edhe mandati i nënkryetarit, pasi është zgjedhur nga i njëjti,” – shprehet Albulena Ndrecaj nga INPO.

Në këtë situatë, kjo organizatë vë në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të nënkryetarëve.

“Legjislacioni jonë, i Kosovës, i cili rregullon natyrën e vetëqeverisjes lokale, nuk e ka zë paraparë në mënyrë të saktë, se është legjitime apo nuk është legjitime, ushtrimi i postit të kryetarit nga nënkryetari,” – shtoi më tej Ndrecaj.

Në fakt, zgjedhjet në Podujevë ishin caktuar të mbahen me 15 mars, por për shkak të pandemisë, ato janë shtyrë nga presidenti në afat të pacaktuar. Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucioni që merret me organizimin e zgjedhjeve, është gati kurdo që ato caktohen.

“Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për kryetarë të Podujevës, të cilat janë shtyrë një ditë para mbajtjes së tyre dhe gjithashtu sa i përket shterjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut, shprehim përkushtinin e KQZ për t’i organizuar kurdo që caktohen nga presidenti i republikës,” – thotë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Sidoqoftë, politika kosovare, ka dëshmuar se jo gjithmonë ndryshimet në qeverisje, varen nga puna dhe gatishmëria e KQZ-së, ndonëse roli i saj mbetet i pazëvendësueshëm.

Kështu, pa pasur fare nevojë për punën e KQZ, brenda një viti, Kosova ka ndryshuar dy qeveri. Sidoqoftë, në rast se politika kosovare nuk sjell befasi të tjera, viti 2021 është vit zgjedhjesh vendore në Kosovë, bazuar në kalendarin zyrtar.

Ndërkohë, edhe komuna e Istogut rrezikon të mbetet pa kryetar, për shkak të arrestimit të kryetarit të saj, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkaku i disa tenderëve. E në anën tjetër, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ende nuk ka datë të caktuar.