Parashikimi i motit

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot shumë i nxehtë, por me erëra mjaft të fuqishme jugperëndimore. Temperaturat pritet të jenë mjaft të larta duke u kombinuar ajri i nxehtë Afrikan dhe efekti “fen” i erërave të fuqishme jugperëndimore. Erërat pritet të jenë të fuqishme veçanërisht në viset malore dhe fuqia maksimale e tyre në disa momente mund të arrijë deri në 80km/h. Pasdite pritet të ketë shtim lokal të vranësirave. Vende-vende mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Nuk përjashtohet mundësia e krijimit të ndonjë shtrëngate të fuqishme, të izoluar me breshër.

Në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore sot pritet të mbajë mot shumë i nxehtë dhe me erëra të fuqishme jugore dhe jugperëndimore. Në veri të Shqipërisë priten edhe rrebeshe dhe shtrëngata të fuqishme me shi dhe breshër. Moti mund të manifestohet me procese të dhunshme atmosferike.

Rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për shtrëngata të fuqishme me breshër sot priten veçanërisht në territorin e Malit të Zi dhe Hercegovinës. Mund të ketë edhe tornado si dhe tromba ujore.

Të premtën na pret mot më i freskët, por mjaft jo-stabil. Priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi për breshër. Priten ulje të temperaturave dhe kjo do të shënojë fundin e valës më të fuqishme të nxehtësisë afrikane në rajonin tonë deri më tani edhe pse për një kohë të shkurtër. Erërat do të jenë më të qeta krahasuar me ditën e enjte dhe do të ndryshojnë drejtim. Do të fryjnë nga veriperëndimi.

Për fundjavë pritet stabilizim dhe qetësim o plotë i motit, ndërsa të dielën rritje të ndjeshme të temperaturave./Meteoballkan