Partia Socialdemokrate ka propozuar mënyren e financimit të RTK-së

Partia Socialdemokrate ka propozuar që RTK të financohet drejtpërdrejt nga qytetarët, në shumën prej 20 euro në vit. Ky subjekt ka propozuar edhe zvogëlimin e numrit të anëtarëve të bordit dhe mënyrën e përzgjedhjes së tyre.

Po ashtu, PSD paralajmëroi edhe kundërshtimin e projektligjit aktual për RTK-në, kjo pasi projektligji në fjalë, përkundër përmirësimeve, nuk garanton pavarësinë e Radio Televizionit të Kosovës.

Në një konferencë për media, deputetja Shqipe Pantina, tha se RTK është bërë çerdhe e punësimit të familjarëve e politikanëve të partive në pushtet, e më së shumti të PDK-së.

Pa pavarësi financiare të RTK-së, Pantina tha se nuk mund të ketë as pavarësi menaxheriale e as editoriale.

Sipas saj, menaxhmenti i RTK-së duhet të gjejë mënyrën më të lirë për inkasimin e kësaj tarife, ndërsa qytetarëve duhet t’iu jepet mundësia që ta paguajnë shumën prej 20 euro menjëherë ose në formë këstesh çdo muaj.

Ndërsa deputeti Dukagjin Gorani, u shpreh pro zvogëlimit të numrit të anëtarëve të bordit të RTK-së.

Ai tha se Kuvendi, si themelues i RTK-së, do ta ruajë të drejtën e emërimit të anëtarëve të bordit, ndërsa shtoi se përzgjedhja e kandidatëve duhet të bëhet nga një trup i cili garanton profesionalizëm dhe paanshmëri politike e partiake.

Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet mbrojtja dhe përfaqësimi i interesit të publikut të gjerë.

Ai tha se kjo është kërkesë e PSD-së, e cila është pjesë e amendamenteve, të cilat janë dorëzuar dhe kanë për qëllim gjetjen e mënyrës së formulës për garantimin e një funksionimi i cili është llogaridhënës dhe i cili është i paanshëm. Teksa foli edhe për mandatin e bordit të RTK-së.