Hoxhaj: I keni lënë vetëm nxënësit, prindërit e mësimdhënësit, arsimi në pandemi ka qenë dështim

Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se shpesh herë në Kuvend temë kryesore gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar ishte humbja e jetës së njerëzve, por shumë pak është folur për atë se si po humbin fëmijët nga mos-zhvillimi i mësimit.

“Në vitet e 90’ta kur Serbia mbylli dhunshëm shkollat në Kosovë, kemi humbur një gjeneratë në vitet e 98-99 gjatë luftës kemi humbur një gjeneratë dhe tash në vitin 2020-2021, në këto dy vite poashtu jemi duke humbur një gjeneratë. Imagjinoni një qytetarë që fillimisht e ka vuajtur hapin në shkollën fillore, pastaj në të mesmet në vitet e 90’ta e sot fëmija i tij në vitin 2020-2021 po e humb hapin.Kjo është një rrethanë e vështirë, e rëndë për çdo familje e popull e që mendoj se kjo qeveri nuk po e kupton. Mënyra më e mirë për të treguar se kjo temë nuk po kuptohet, vërehet nga mungesa e kryeministrit sot.Edhe kur folëm për vaksinat edhe sot për arsimin në pandemi, kryeministri po mungon. Çka nënkuptojmë me humbjen në arsim?.Humbjen e njohurive dhe të shkathtësive për arsim, humbjen e kapitalit njerëzor dhe perspektivës ekonomike në të ardhmen”, tha Hoxhaj, shkruan lajmi.net.

Tutje Enver Hoxhaj theksoi se kur pandemia ka goditur Kosovën në vitin e kaluar ka qenë e qartë se arsimi do të përballet me humbje të tilla.

“Por ne s’e kemi ditur se mësimi në distancë në asnjë formë nuk mund të zëvendësojë procesin e rregullt mësimor dhe kohët e fundit nga një raport të Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor është theksuar se 25% pati rënie të nxënit në këto vende e në disa kjo humbje ka shkuar deri në 40%.
Qeveria Kurti më 12 mars 2020 mbylli shkollat pa plan, e kur nuk ke plan nuk ke qartësi nuk ke kontroll mbi situatën dhe ecurinë natyrisht se dëmtohet cilësia. Pastaj Qeveria Hoti e cila filloi mësimin me shumë vonesë, e që vetëm pati masa mbrojtëse si maskat, matja e temperaturës e distanca.
Ajo çfarë dy qeveritë nuk e kanë paraparë ishte dështimi i procesit në kuadër të mësimit në shkolla dhe në disancë. Nuk e dimë sot se sa shkolla në cilin skenarë kanë qenë, A B apo C”, shtoi ai.

Hoxhaj tha se kjo seancë është ftuar që të debatohet për arsimin dhe pandeminë jo vetëm për të kritikuar qeverinë “por kemi ftuar këtë debat pasi Qeveria Kurti në bazë të programit që ka ofruar s’ka as mendim politik, as strukur përmbajtësore se çfarë ndodhë apo çfarë duhet të ndodhë me arsimin”.

Ai theksoi se kur një qeveri nuk ka ide e as plan, çdo gjë duket e pamundur.

“Për Qeverinë Kurti paaftësi është kriza që po mundëson krizën e shumë gjërave të tjera. Dy humbjet e humbura janë humbje e një gjenerate. Ju i keni lënë komunat vetëm, shkollat, mësimdhënësit e universitetet. Nëse ne jemi të fundit në botë e Evropë sa i përket vaksinimit, normalizimit të shoqërisë e ekonomisë unë ftoj që të mos jemi të fundit në rajon dhe në Evropë se si të menaxhohet arsimi në vitin e ardhshëm shkollor. Këto dy vite dhe viti i fundit ka qenë dështim këtë e shohin nxënësit e prindërit çdo ditë”, tha ai.