Pas kërcënimeve të SBASHK-ut, Qeveria thërret Grupin Punues për Ligjin e Pagave

Ndonëse ishte premtuar qysh në muajin mars që të miratohej Projektligji i Pagave në Sektorin Publik, Qeveria e Kosovës deri më tani nuk e ka marrë ndonjë hap.

Tek pas kërcënimeve për grevë të përgjithshme në sektorin arsimit, Qeveria Kurti ka nisur mobilizimin.

Pas këtyre kërcënimeve, Qeveria e Albin Kurtit ka vendosur që ta mbledh Grupin Punues për këtë projektligj.

Mësohet se takimi i Grupit Punues është thirrur për datën 21 korrik.

“Përmes këtij e-maili po ju përcjell ftesën për takim të grupit punues për Projektligjin për Paga. Takimin do ta mbajmë me datën 21.07.2022, ditë e enjte në objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Salla P38, Kati përdhese nga ora 13:30”, thuhet në një e-mail që u është dërguar anëtarëve të Grupit Punues nga Meliza Qorraj, udhëheqëse e Divizionit për Koordinim të Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

Në programin legjislativ ishte paraparë që ky projektligj të trajtohej më 30 mars 2022.

Në muajin shkurt doli në publik drafti i projektligjit fillestar, në të cilin parashiheshin koeficientet e pagave në institucionet publike, por jo edhe vlera e koeficientit.

Ky projektligj u komentua shumë, por asnjëherë deri më tani zyrtarët qeveritarë nuk e kanë përmendur ndonjë shifër për vlerën e një koeficienti.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, kishte reaguar në lidhje me shkrimet dhe lajmet për draftin e projektligjit të ri për pagat e zyrtarëve publikë. Sipas Sveçlës, ende nuk kishte draft final të Ligjit për Pagat e Zyrtarëve Publikë.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për Paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ky ligj rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj/Fokusi.info/