Pas largimit flet Beqaj: Jam i pafajshëm

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, ka bërë të ditur se ka dorëzuar dorëheqjen nga ky post tek kryeministri, mëngjesin e sotëm.

Një ditë pasi kreu i partisë se tij Kadri Veseli, mori vendim për largimin e personave që kanë aktakuza korruptive, në mesin e të cilëve ishte edhe Besim Beqaj, ky i fundit tha se është i pafajshëm.

“Besoj se drejtësia do ta vërtetojë pafajësinë”.

“Vepra për të cilën po gjykohem është shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës. Aktakuza ka një mal të metash dhe që në fillim është aplikuar drejtësi selektive. Mund t’ju siguroj secilit prej jush se në rast të një procesi të drejtë gjyqësor unë do të lirohem nga aktakuza”.

Beqaj bëri të ditur se do të vazhdoje angazhimin e tij në PDK, përderisa theksoi se respekton vendimet e partisë.

Ndaj Beqajt, për më shumë se një vit është ngritur aktakuzë për veprën penale shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të republikës së Kosovës, në rastin e “Pronto”.