Pas lirimit nga arresti, Molliqaj paralajmëron protesta të tjera: Protestuam masivisht kundër shtrenjtimit të rrymës dhe Qeveria ka nisur tërheqjen

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj pas lirimit ka paralajmëruar protesta tjera dhe tubime, teksa thotë se Qeveria e Kosovës ka nisur të tërhiqet pas protestës kundër shtrenjtimit të rrymës.

Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj tha se jashtë Qeverisë ka qytetarë që përherë do të jenë aktiv.

“Faleminderit për solidaritetin e madh që treguat ndaj meje. Insistimi juaj na i solli dy fitore për një kohë shumë të shkurtër. Ju protestuat masivisht kundër shtrenjtimit të rrymës. Dhe qeveria ka nisur tërheqjen. Ju reaguat masivisht me indinjim, jo thjeshtë kundër marrjes peng që më bëri policia mua, por kundër praktikës së persekutimit nga pushteti autoritar ndaj kujtdo që mendon ndryshe. Dhe pushteti u tërhoq”, shkruan Molliqaj.

Tutje, ai shton: “Ashtu siç e thash në protestë, po e them edhe sonte: brenda qeverisë e kemi një frikacak që vetja i duket supermen. E ky është lloji më i rrezikshëm i politikanëve”.

“Por ashtu siç e thash në protestë, po e them edhe sonte: jashtë qeverisë kemi qytetarë përherë e më aktiv, që nuk do të ndalen së protestuari kundër pabarazisë e padrejtësisë. Faleminderit, e shihemi shpejt nëpër tubimet e protestat e radhës”, shkruan Molliqaj.