Pa rezistencën shqiptare dhe luftën e UÇK-së nuk do të kishte ndërhyrje të NATO-s

0
92

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka përkujtuar 20 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë gjatë luftës me Serbinë.

Në një postim në Facebook, Murati ka shkruar se faktori më meritor për lirinë e Kosovës është rezistenca shekullore e popullit shqiptar që kulmoi me luftën e armatosur çlirimtare të UÇK-së.

Më poshtë postimi i Valon Muratit:

Sot po festojmë 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, edhe duke iu falënderuar të gjithë aleatëve tanë që na ndihmuan që kjo ditë të vijë.

Nuk ka dyshim se ndihma e tyre, ndërhyrja e NATO-s ishte e rëndësishme si akt i çlirimit të Kosovës. Por, të gjithë duhet që jo vetëm të jemi të vetëdijshëm por edhe krenar e ta transmetojmë nga brezi në brez se faktori më meritor për lirinë e Kosovës është rezistenca shekullore e popullit shqiptar që kulmoi me luftën e armatosur çlirimtare të UÇK-së.

Pa përpjekjet tona të vazhdueshme, pa luftën tonë, pa dëshmorët e luftës së fundit dhe të të gjithë brezave, nuk do të krijoheshin rrethanat që kjo rezistencë të përputhej edhe me interesat ndërkombëtare dhe të kishim një ndërhyrje ndërkombëtare e cila, përfundimisht, do të na lidhte në aleancë me shtetet kryesore të NATO-s, të prira nga SHBA-të.

Ne këtë aleancë duhet të dimë ta ruajmë dhe ta kultivojmë, por gjithashtu duhet ta ruajmë dhe kultivojmë edhe krenarinë e ligjshme për rezistencën dhe luftën tonë çlirimtare. Sepse nëse këtë të fundit e injorojmë, ne futemi në ciklin e pritjeve të vazhdueshme nga aleatët duke e amnistuar përgjegjësinë tonë që Kosovën ta bëjmë një vend dinjitoz.