Pas përplasjes me policinë greke,përfshihet nga zjarri kampi i emigrantëve

Një kamp refugjatës është përfshirë nga zjarri në Ishullin Lesbos të Greqisë. Ndërkohë,përplasjet mes policisë greke dhe emigrantëve janë rritur, pasi këta të fundit kërkojnë hapjen e kufirit.

Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa nuk është raportuar për persona të lënduar.

Shumë emigrantë janë strehuar në Lesbos pas rritjes së numrit të tyre që vijnë nga Turqia. Qindra nga ata janë munduar të arrijnë në këtë ishull që nga deklarata e presidentit turk Reccep Tayyip Erdogan javën e kaluar për “hapjen e dyerve” për refugjatët që të hyjnë në Evropë.

Por, të shtunën, presidenti turk urdhëroi rojen bregdetare të mos lejojë kalimin e emigrantëve nëpër Detin Egje për shkak të rrezikut për jetë.

Turqia javën e kaluar i ka hapur kufijtë drejt Evropës, duke thënë se nuk mund të zbatojë më një marrëveshje të vitit 2016 me BE-në për të parandaluar hyrjen e emigrantëve në Evropë.

Bashkimi Evropian ka akuzuar Erdoganin për shfrytëzim të emigrantëve për qëllime politike dhe ka insistuar në mbylljen e kufijve./Opinion.al