Pas pezullimit në disa shtete, OBSH-ja mblidhet për vaksinën e AstraZeneca-s

Ekspertët e sigurisë për vaksina në Organizatën Botërore të Shëndetësisë po përgatiten që të takohen për të diskutuar rreth vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” për Covid-19, shpërndarja e së cilës është ndërprerë në disa shtete për shkak të frikës nga shkarkimi i mundshëm i mpiksjes së gjakut.

Tri shtetet më të mëdha me popullsi në Bashkimin Evropian – Gjermania, Italia dhe Franca – iu bashkuar të hënën vendeve tjera për ta pezulluar këtë vaksinë, duke e goditur rëndë fushatën globale të imunizimit kundër sëmundjes që ka mbytur mbi 2.6 milionë njerëz.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, kompania “AstraZeneca” dhe Agjencia Evropiane e Ilaçeve kanë këmbëngulur se kjo vaksinë është e sigurt dhe se nuk ekziston asnjë lidhje mes saj dhe rasteve të raportuara të mpiksjes së gjakut, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Ne nuk dëshirojmë që njerëzit të bëjnë panik dhe tash për tash do të rekomandonim që shtetet ta vazhdojnë vaksinimin me vaksinën e AstraZeneca-s”, tha shefja e shkencëtarëve në OBSh, Soumya Swaminathan.

Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të Agjencisë Evropiane të Ilaçeve do të diskutojnë të martën rreth të dhënave të vaksinimit me këtë vaksinë, ndërsa rregullatori evropian do të zhvillojë një takim të jashtëzakonshëm të enjten për të vendosur rreth veprimeve të mëtejme.

Shoqata Ndërkombëtare për Trombozë dhe Hemostazë, pjesë e së cilës janë ekspertë mjekësorë nga tërë bota, tha të premten se numri i vogël i rasteve të raportuara të trombozës në raport me miliona doza të vaksinës nuk sugjeron ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë.