Pas rikthimit në krye të Telekomit të Kosovës, reagon Bedri Istrefi

Pasi që Inspektorati i Punës përmes një vendimi obligoi Telekomin e Kosovës që ta rikthej në punë ish-kryeshefin e kësaj ndërmarrje, Bedri Istrefin, ky i fundit ka dal me një reagim.

Istrefi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se me këtë vendim të inspektoratit u dëshmua spektakli i Bordit të Përkhoshëm të Drejtorëve i emëruar nga Qeveria Kurti.

“Ky vendim i sotëm dëshmojë edhe një herë se spektakli dhe insinuatat e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve ishin thjeshtë dhe vetëm një veprim i kundërligjshëm për të përmbushur qëllimet e tyre politike, qëllime këto plotësisht tendencioze saqë e dëmtuan dhe përkeqësuan rëndë imazhin e kompanisë sonë”, ka shkruar Istrefi.

Istrefi ka thënë se ai i ka ofruar bordit të përkohshëm bashkëpunim mirëpo që sipas tij synimi i tyre ka qenë proklamimi dhe shkatërrimi i zyrtarëve të kompanisë.

“Siç dihet që në ditën e parë, anëtarëve të përkohshëm të këtij bordi, u kam ofruar bashkëpunim të plotë profesional dhe ligjor, ndërsa synimi i tyre parësor paska qenë që të ndërmarrin vendime të kundërligjshme duke prodhuar spektakël mediatik me proklamimin e shkarkimit të zyrtarëve të lartë të kompanisë sonë”, ka shkruar Istrefi.

Inspektorati i Punës përmes një vendimi të nxjerr ka obliguar Telekomin e Kosovës që të rikthejë në punë ish-kryeshefin e kësaj ndërmarrje Bedri Istrefi.

Në pikën I të vendimit të Inspektoratit thuhet se ankesa e Bedri Istrefit e bërë në këtë Institucion është e bazuar.

Në pikën II thuhet se vendimi i Telekomit të Kosovës është në kundërshtim me Ligjin e Punës, por edhe ligje tjera të aplikueshme në vendin tonë.

Deri sa në pikën III thuhet se Telekomi i Kosovës duhet të anuloj vendimin e marrë dhe ta njoftoj Inspektoratin brenda 8 ditëve për veprimet e ndërmarra.

Bedri Istrefi ishte shkarkuar nga Bordi i Përkohëshëm i Telekomit i cili ishte emëruar nga qeveria e Albin Kurtit.